Dëshmia e dhëndrit, Kushner do mohojë akuzat për rusët

24/07/2017 00:00

Jared Kushner përgatitet të deklarojë përpara panelit të Senatit se as ai e as ndonjë pjesëtar tjetër i ekipit të fushatës së Donald Trump nuk ka lidhur asnjë marrëveshje mbi presidencialet amerikane me zyrtarët rusë.

Dhëndri i presidentit, nga sa tregojnë raportet paraprake në media, do të thotë se nuk ka pasur kontakte të papërshtatshme e nuk është mbështetur tek fondet ruse për financimin e aktiviteteve të tij të biznesit.

Vetë Kushner e bëri publike deklaratën që do të mbajë përpara Senatit të përfshirë së bashku me Dhomën e Përfaqësueve dhe Prokurorin Special, Robert Mueller në hetimin e ndërhyrjes së supozuar të Moskës në zgjedhje.

36-vjeçari, i martuar me vajzën e Trump, Ivanka, mban postin e këshilltarit të lartë të presidentit dhe gjatë fushatës, ishte personi përgjegjës për strategjinë dixhitale.

Pas dëshmisë së tij përpara Komitetit të Inteligjencës në Senat të hënën, Kushner që ka preferuar të mbajë një profil të ulet mediatik, do të dalë të martën përpara një paneli të ngjashëm të Dhomës së Përfaqësuesve.

Top Channel