Incidenti me armë zjarri në Elbasan, RENEA në kërkim të një të dyshuari

23/07/2017 00:00

Policia e Elbasanit në bashkëpunim me forcat speciale RENEA po zhvillojnë një operacion për kapjen e një të dyshuari për ngjarjen e ndodhur të shtunën pasdite në aksin rrugor Elbasan-Xibrakë, ku ka patur të shtëna me armë zjarri.

Policia bën me dije se ka patur një konflikt midis disa personave, por askush nuk është lënduar. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të një pike karburanti në aksin rrugor Elbasan-Xibrakë, ku grupi hetimor ka gjetur dy gëzhoja pistolete kalibër 9 mm.

Njëri nga personat e tjerë të përfshirë në konflikt, është shoqëruar në Komisariat dhe po merret në pyetje për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Ndërsa materialet ndaj 51-vjeçarit në kërkim do t’i kalojnë Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme në lidhje me veprën penale “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim”, si dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe e municioneve”.

Top Channel