
Katër banesa janë shkrumbuar si pasojë e një zjarri masiv të rregjistruar pas mesnate në fshatin Sheqeras.
Zjarri ka nisur në njërën prej banesave, e cila në oborr kishte dhe bazë ushqimore dhe më tej flakët kanë përfshirë edhe banesat e tjera duke rrezikuar jetën e familjeve që jetonin në to.
Sipas të dhënave njëra prej banesave ishte e pabanuar dhe shërbente për mbajtjen e bazës ushqimore për bagëtitë ndërsa në 3 banesat e tjera jetonin familje por në oborret dhe pjesën e pasme të shtëpive kishin vendosur bazën ushqimore.
Zjarri fillimisht ka nisur në njërën nga shtëpitë e banuara e cila ndodhej në afërsi të rrugës dhe më pas është përhapur edhe në shtëpitë e tjera për shkak të distancës së afërt që kishin me njëra tjetrën.
Sipas banorëve edhe pse zjarrfikësja është lajmëruar ka pasur vonesë për mbërritjen e saj, por edhe vështirësi për të shuar zjarrin, ndërkohë që është kërkuar edhe mbërritja e një zjarrfikëseje të dytë nga Korça për shuarjen e tij.
Banorët tregojnë momentet e vështira kur konstatuan zjarrin, por fatmirësisht kanë shpëtuar pa u dëmtuar. Ky është zjarri i dytë brenda pak ditësh që shkrumbon banesat në Bashkinë e Maliqit, ndërkohë që në këtë bashki ka vetëm një zjarrfikëse pavarësisht shtrirjes së gjerë territoriale që ajo ka.
Top Channel