Atentati në Tiranë, i plagosuri sapo ishte liruar nga burgu

21/07/2017 00:00

Mishel Manoku i shpëtoi një atentati, mbrëmjen e së enjtes, në rrugën “4 Dëshmorët”, pranë gjimnazit Partizani, ndërsa policia vuri në pranga Miklar Tolën, si autor i dyshuar i tentativës së vrasjes.

Blutë e kryeqytetit thonë se kanë zbardhur ngjarjen por nga ana tjetër nuk kanë sqaruar asnjë motiv të saj. Në drejtim të Manokut, u qëllua 8 herë me pistoletë teksa lëvizte me një bicikletë. Fatmirësisht ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën, megjithëse mori disa plumba në bark dhe gjymtyrë.

31-vjeçari i plagosur, nuk është një emër i panjohur për policinë. Ai kishte vetëm pak kohë që kishte dalë nga burgu, ku kishte vuajtur dënimin për plagosje dhe kundërshtim të forcave të policisë. Gjatë deklarimeve në spital Manoku , është prezantuar me një kartë identiteti që dyshohet të jetë e falsifikuar me emrin Edison Delia.

Nuk dihet pse i riu tentoi t’i shmangej hetimeve duke mos dhënë informacione mbi atentatorin e dyshuar Miklar Tola, i cili sipas hetuesve ka patur për qëllim eliminimin fizik. Manoku më parë ka qenë dhe aktor në një filmi të një regjizori italian të titulluar “Saimir”, i dedikuar për emigrantët shqiptarë në Itali. Policia nuk përjashton mundësinë që në këtë ngjarje të jenë të përfshirë edhe persona të tjerë.

Top Channel