
E paralajmëroi që të zgjidhte hallin e të moshuarës ose të largohej. Por megjithëse zgjidhi problemin e Hëna Cakës nga Berati, drejtori i ALUIZNI-t është shkarkuar gjithsesi nga Kryeministri Edi Rama.
“Kam 5 vjet që kërkoj certifikatën e pronësisë dhe nuk ma japin. Kam bërë dhe legalizimin dhe më sorollasin”, ankohej Hëna Caka.
“Nesër, ose ajo merr tapinë, ose ti largohesh nga zyra! Meqë the se është problem i zgjidhur. Tapinë asaj, ose jep dorëheqjen”, paralajmëroi një ditë më Edi Rama drejtorin e ALUIZNI-t të Beratit.
Hëna Caka e mori certifikatën e pronës së saj mëngjesin e kësaj të marte.
Gruaja që s’kishte lënë ditë pa shkuar në zyrën e hipotekës tregon se e ka telefonuar drejtori i hipotekës dhe i ka dorëzuar dokumentin.
Për Top Channel, e moshuara tregon se shtesën e vogël e ka bërë në vitin 1994, nisi legalizimin në 2006 dhe ju miratua në 2012, por nuk e regjistronte dot, sepse siç thotë ajo, komshiu sipër saj donte një pjesë të pronës.
“Donte një firmë që të bëheshim me një pronë dy pronarë”, deklaron ajo.
Sorollatja shkoi deri në zhdukjen e dokumentave.
“Ka një një javë apo dhjetë ditë që më thanë që kanë humbur dokumentat”, tregon ajo.
Halli i të moshuarës u zgjidh, por sërish drejtuesi i ALUIZNI-t në Berat u shkarkua. Kryeministri Rama tregoi edhe arsyen.
“Ky drejtor që e zgjidhi problemin e saj brenda natës me kaq zell, duke dhënë provën se prej pesë vjetësh zonja ishte një viktimë e pafajshme e parazitëve (në rastin më të mirë) dhe grabitqarëve (në rastin më të keq), si mund të rrijë më në detyrë qoftë edhe një ditë pas kësaj prove turpëruese për shtetin?! Jo nuk mund të rrijë natyrisht, as ai dhe askush tjetër që ka lidhje me dosjen e hallit pesëvjeçar të zonjës!”, shkruan ai në Facebook.
Rama shkruan se drejtori mund të mos jetë personalisht pjesëtar i grupit që ka torturuar 5 vjet rresht të moshuarën, por fakti që në zyrën që ai drejton një grup i tillë ekziston e bën qamete të tilla, mjafton për të kuptuar se vetëm drejtor ai s’mund të jetë.
“Sa të tjerë, që nuk e kanë “fatin” e zonjës të më qajnë mua hallin në sy, jetojnë sot me halle të tilla të turpshme për zyrat e këtij shteti?! Kushedi sa janë, qindra, mijëra, dhjetëra mijëra… A zgjidhen dot këto halle, ja kështu, si u zgjidh halli i kësaj zonje dhe a ndalohen dot parazitët e grabitqarët që paguhen me taksat tona, të bëjnë përditë viktima të pafajshme në çdo komunitet të Shqipërisë?!”, vijon ai.
Rama fton qytetarët që t’i bashkohen koalicionit të qeverisë me njerëzit e zakonshëm, pasi siç thotë rrjeta e madhe njerëzore do të kapë e nxjerrë jashtë nga zyrat e shtetit peshqit parazitë e grabitqarë.
Top Channel