Tensionet në Kore, Jugu propozon bisedime për paqen

17/07/2017 00:00

Koreja e jugut ka propozuar mbajtjen e bisedimeve ushtarake me Veriun pas një jave tensionesh të larta që pasuan testimin e një rakete me rreze të gjatë veprimi.

Nëse bisedimet do të zhvilloheshin, ato do të ishin të parat të nivelit të lartë që prej 2015-s. Një zyrtar i lartë tha se bisedimet do të kenë si qëllim t’i japin fund të gjitha aktiviteteve armiqësore që ndikojnë rritjen e tensioneve ushtarake në kufirin e fortifikuar mes koreve.

Presidenti i Koresë së jugut Moon Jae-in prej kohësh kishte sinjalizuar qëllimet për të bashkëpunuar me veriun komunist.

Në një fjalim të fundit në Berlin, ai deklaroi se dialogu me Penianin ishte më i nevojshëm se kurrë dhe kërkoi nënshkrimin e një traktati paqeje. Dialogu, sipas tij, është jetësor për ata që duan t’i japin fund programit bërthamor të Koresë së Veriut.

Gjithsesi testet e shpeshta raketore të Veriut, përfshirë atë të një rakete balistike ndërkombëtare përbëjnë një shkelje të vazhdueshme të rezolutave të OKB-së dhe kanë alarmuar së tepërmi fqinjët dhe Uashingtonin.

Zëvendësministri i Mbrojtjes në Seul tha në një konferencë për shtyp se bisedimet mund të mbahen në Tongilgak, një godinë koreanoveriore në zonën e çmilitarizuar mes dy vendeve, e përdorur edhe për bisedimet në të shkuarën.

Ai propozoi që përballja të bëhet në 21 korrik, duke shpresuar në përgjigjen pozitive të Penianit. Korrespondentet mendojnë se qëllimi përfundimtar i bisedimeve do të jetë fundi i përballjes ushtarake që ka dominuar marrëdhëniet mes dy koreve për dekada të tëra, por më shumë gjasa ato do të fillojnë me ndërmarrjen e masave që do të shërbejnë për të ndërtuar besimin.

Top Channel