
Kreu i policisë Haki Çako është takuar me përfaqësuesit e misioneve që asistojnë policinë shqiptare për periudhën raportuese janar-qershor 2017.
“Puna e Policisë së Shtetit është në parametra shumë optimiste, pasi vetëm për këtë periudhe 6 mujore janë goditur një sërë organizatash dhe grupesh kriminale që kanë tentuar dhe kanë synuar trafikimin e lëndëve narkotike. Mund t’ju informoj se puna e bërë deri tani për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike është shumë domethënëse dhe shume optimiste, pasi është kontrolluar dhe është punuar intesivisht që nga fillimi i vitit për kontrollin e të gjithë territorit, të gjitha hapësirave ose objekteve ku mund të kultivohej ose mund të magazinohej lënda narkotike, por edhe ku mund të përdoreshin për kultivimin në forma të ndryshme si në laboratorë, tunele, sera ose edhe në vende të identifikuara më parë të hapura, si hapësira për kultivim gjatë vitit 2016 ose në vitet e tjera më parë. Po kështu , mund t’ju them se ne vazhdojmë punën intensivisht edhe në aspektin e hetimit të grupeve kriminale të cilat janë të organizuara për trafikim, ndonëse ka një rritje të potencës të goditjes policore, janë të evidentuar pjesa më e madhe e grupeve kriminale dhe vazhdojmë shkëmbejmë informacion me partnerët dhe me vendet e tjera të rajonit të lidhura me këtë aktivitet”, është shprehur Çako.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e Misioneve dhe Oficerët Ndërlidhës Policorë, vlerësuan bashkëpunimin shumë të mirë të deritanishëm me Policinë e Shtetit, transparencën, informimin në kohë gjatë procesit zgjedhor, ku theksuan se ky bashkëpunim dhe kjo mënyrë komunikimi duhet forcuar më tej në interes të realizimit të prioriteteve të përbashkëta.
Top Channel