Lufta ndaj ISIS? Ushtarakët amerikanë: Myslimanët të bashkohen

11/07/2017 00:00

Fitorja në Mosul ishte historike, por lufta kundër Shtetit Islamik nuk mund të quhet e mbyllur. Komandanti i lartë amerikan në Irak, gjeneral-lejtnant Stephen Townsend i tha BBC-së se, në vend ka ende luftëtarë të Shtetit Islamik dhe Bagdadi zyrtar duhet të hidhet në veprim për të ndaluar ripërtëritjen e grupit të dhunshëm islamik.

Lipset një qasje tjetër, sipas ushtarakut veteran, që këmbëngul se ekzekutivi irakian duhet të përqëndrohet tek afrimi i minoritetit mysliman sunit të vendit.

“Nëse do të arrijmë t’ia ndalojmë ISIS-it riorganizmin, qeveria e Irakut duhet të bëjë diçka krejt të ndryshme”, thotë Townsend. “Ajo do të duhet t’i shtrijë dorën e pajtimit popullatës sunite, e ta bëjë të ndihet se është e përfaqësuar në Bagdad”.

Vet Shteti Islamik është grup sunit dhe shumicën shiite të Irakut e konsideron heretike. 9 muaj zgjati beteja e përgjakshme dhe brutale për Mosulin. Banorëve të munduar, dëbimi i ekstremistëve më në fund u solli një arsye për festim, por përballë tyre aktualisht shtrihet një valë masive shkatërrimesh dhe pasiguria për të ardhmen.

Nuk dihet nëse ISIS, edhe pas humbjes së territorit të vyer për të do të dërgojë sërish atentatorë vetëvrasës nëpër tregje, e ndërkohë pikëpyetje rrethojnë mbushjen e vakumit të pushtetit. Ekspertët kujtojnë nga ana tjetër se, e vetmja gjë që i mbante të bashkuara forcat divergjente të koalicionit anti-ISIS në këtë zonë ishte kundërshtimi i Shtetit Islamik.

Tani që armiku i përbashkët nuk është më, ndasitë e vjetra mund të ngrejnë krye sërish. Në betejën për Mosulin kishin bashkuar forcat ushtria irakiane, policia dhe njësitë antiterror të dominuara nga shiitët, të ashtuquajturit milicë të mobilizimit të popullit, disa me lidhje të ngushta me Iranin, milicë të fiseve sunite dhe luftëtarë kurdë “Peshmerga”; e secila nga këto forca synon të ndjekë axhendën e vet.

Top Channel