
Vetëm gjatë verës bashkia e Tiranës do të ndërhyjë në 80 rrugë të Tiranës, ku standardet do të jenë njësoj si në qendër dhe në periferi. Kreu i bashkisë Erion Veliaj ka inspektuar përfundimin e rrugës “Hermann Gmeiner” në Sauk.
“Duke qenë se qeveria ka ecur shpejt me procesin e legalizimit, tani Bashkia ka radhën me procesin e urbanizimit. Kjo është e vetmja mënyrë se si ecim përpara. Kemi përgatitur gjatë gjithë kësaj vere ndërhyrje në mbi 80 rrugë në të gjithë zonën e Tiranës periurbane, pra jashtë zonës së qendrës, dhe besoj se në shtator, kur shumë qytetarë të kthehen nga pushimet, do të gjejnë një situatë krejt tjetër”, deklaroi kryebashkiaku.
Ndërtimi i rrugës “Hermann Gmeiner” është tregues i vizionit të Bashkisë së Tiranës për punuar çdo ditë dhe i mbajtjes së premtimit për përmirësimin e jetës së qytetarëve, tha ai. “E di që njerëzit janë dyshues, kanë parë politikanë që vijnë për fushatë, pastaj me të mbaruar fushata zhduken e i harrojnë njerëzit. Me këtë dua të provoj se nuk i harrojmë njerëzit. Për ne është çdo ditë fushatë, çdo ditë punohet sikur të ishte fushatë. Mënyra më e mirë për të ecur përpara është të shfrytëzojmë gjithë këtë kohë gjatë verës, kur njerëzit largohen me pushime, që të kemi mundësi të shtrojmë asfalt, të investohemi në infrastrukturë. Besoj se kjo është mënyra me mirë se si mbajmë premtimet që kemi dhënë, për të rritur standardin e jetesës në komunitet”, tha Veliaj.
Duke theksuar se investimet e Bashkisë kanë dhënë një impakt pozitiv në rritjen e vlerës së pronës, kreu i Bashkisë u bëri thirrje banorëve që të ruajnë ambientet e përbashkëta.
Top Channel