PD, Selami: Platforma ime na kthen tek vlerat demokratike

07/07/2017 00:00

Kandidati Eduard Selami nisi fushatën me takimet në Lezhë, Rrëshen, Laç, Fushë-Krujë dhe Krujë, ku theksoi se gara për kryetar të Partisë Demokratike do t’i nxjerrë demokratët më të fortë dhe më të bashkuar.

“Besoj që së bashku jo vetëm do ta kthejmë PD-në në parti fituese, por do ta kthejmë Shqipërinë edhe një herë në rrugën e suksesit, jo vetëm rajonal por edhe më gjerë. Demokratët do të fitojnë dhe do të rikthehen po aq fuqishëm sa edhe në vitin 1992. Unë kam besim absolut se demokratët janë forca më progresive e Shqipërisë që gjeneron sukses edhe progres dhe këtë e kanë dëshmuar faktet. Prandaj, kjo më bën mua kaq krenar që jam demokrat dhe unë jam këtu që me energjine tonë, tia dalim dhe në këtë sfidë të ringritjes së PD”, tha Selami.

Zoti Selami tha se PD-ja është forca politike e alternativave dhe e energjisë më të madhe të shqiptarëve, që rrëzoi totalitarizmin e komunizmit, që ngriti forcën e shtetit ligjor dhe siguroi integrimin euroatlantik të Shqipërisë. Duke shtjelluar platformën e tij, kandidati Selami tha se ajo pasqyron gjithë problematikën dhe zgjidhjet për gjendjen kritike të PD pas humbjes në 25 Qershor. Duke u përqendruar te ajo që ai e cilësoi rikthimi te vlerat demokratike si, respektimi i Statutit, dëgjimi i strukturave, këshillimi me bazën dhe konkurenca e drejtë per të promovuar njerëzit më të aftë për karierën në parti, Selami tha se vendosja e sistemit te meritokracisë eshtë e një rëndësie themelore për PD dhe për rolin aktiv të qytetarëve. Ka ardhur koha, tha ai, që rregullat e lojës të respektohen, që Partia Demokratike të përfaqësojë realisht interesat e demokratëve, që janë interesat e gjithë shqiptarëve.

Top Channel