N.kryetarët e PD-së: Garantojmë proces të rregullt për kandidatët

03/07/2017 00:00

Partia Demokratike mbylli një ditë më parë afatin e regjistrimit të kandidatëve për kryetarin e partisë dhe sot mbledh Kryesinë për të miratuar këto kandidatura.

Dy nënkryetarët e PD-së, Edmond Spaho dhe Edi Paloka theksojnë se “statuti i PDSH, dhe aktet e tjera të dala në zbatim të tij si dhe organizmat e PDSH  garantojne garë të ndershme, të drejtë dhe të barabartë për këdo që dëshiron të kandidojë”.

Duke iu përgjigjur akuzave të kritikëve të Bashës, dy nënkryetarët shprehen se “procesi i shpallur i garës për kryetarin e PDSH është normal dhe bazuar në statutin e saj. Kryetari i partisë, bazuar në nenin 43, pika 2 ka autorizuar delegimin e të gjithë vendi-marrjes organizative te dy nënkryetaret dhe Sekretari i Përgjithshëm”.

Gjithashtu në vendimin e nënkryetarëve Paloka dhe Spaho për hapjen e garës për kryetarin përcaktohet se në votim do të marrin pjesë vetëm ata anëtarë të PD-së që janë regjistruar deri më 28 qershor.  “Që nga data 28.06.2017 në PD nuk ka patur dhe nuk do të ketë anëtarësime të reja deri sa të përfundojë procesi i zgjedhjes së kryetarit të saj.

Gjithnjë në linjën për t’iu përgjigjur akuzave të ditëve të fundit, ata thonë se është pikërisht Komisioni për Organizimin dhe Kontrollin e Operacioneve Elektorale, ai që ka autoritetin për përgatitjen dhe organizimin e operacioneve të votimit në nivel kombëtar dhe territorial.

 “Në këto rrethana ne si drejtues te PDSH nuk mund te plotesojme kerkesa qe nuk parashikohen apo jane ne kundershtim me statutin, dhe as te ndryshojme statutin e PDSH. Ne garantojme qe brenda kompetencave tona do sigurojme per cdo kandidat nje proces te rregullt, te ndershem dhe te barabarte sipas statutit te PDSH”, thekson Paloka dhe Spaho.

Top Channel