Vrasja e mjekut, dyshohet pronësia; arratiset autori

01/07/2017 00:00

Një mjek është qëlluar për vdekje në Shkodër, për motive që policia thotë se lidhen me pronën. Mesnatën e së premtes, duke u gdhirë e shtunë, në lagjen “Qemal Stafa” është qëlluar për vdekje me armë zjarri 40-vjeçari Ilir Alija, mjek në një fshat të Shkodrës.

Ngjarja ndodhi pak para mesnate dhe autori i dyshuar është Dritan Ymeri, arrestimi i të cilit nuk është bërë ende i mundur.

Sipas Policisë, viktima dhe autori ka qenë fqinj dhe ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për një konflikt pronësie. Ymeri ka qëlluar disa herë me armë zjarri mbi Alijan dhe për pasojë i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Edhe pse u kërkua ndërhyrja e forcave RENEA për arrestimin e autorit, ai ka mundur të ikë nga banesa, ndonëse mbahej i rrethuar nga forcat e rendit dhe konsiderohej si një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Nga të dhënat që bën publike policia, mjeku Alija ka pasur konflikte të hershme pronësie me familjen Ymeri dhe konfliktet janë shtuar pasi viktima ka nisur të ndërtojë katin e katërt të banesës, ndërkohë që në të njëjtin kat jetonte dhe autori Ymeri.

Gjithsesi, banesa është mbajtur e rrethuar dhe pas thirrjeve për dorëzim, rreth 5 orë pas ngjarjes së rëndë, forcat RENEA kanë ndërhyrë në banesën ku dyshohej se ndodhej Dritan Ymeri, por autori nuk gjendej aty. 

Orët e pritjes për dorëzim, i kanë dhënë mundësi autorit të largohet shumë larg vendgjarjes, duke humbur çdo gjurmë. Forca të shumta policie janë vënë ne ndjekje, duke kryer kontrolle në zona ku dyshohet se mund të jetë fshehur i kërkuari.

Ndërkohë, disa persona janë shoqëruar si të dyshuar se kanë informacion për vendfshehjen e autorit të krimit.

Top Channel