
Tre milionë e 452 mijë e 260 shqiptarë kanë të drejtë sot për të votuar në zgjedhjet e përgjithshme. Qendrat e Votimit janë hapur në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00.
Gazetarja e Top Channel, Denisa Pasholli, tregoi mënyrën sesi votohet ditën e sotme, përmes ushtrimit të së drejtës kushtetuese nga vet ajo.
Qendra e votimit për të ndodhej në Fakultetin e Drejtësisë, e me një kartë identiteti në dorë u drejtua atje, ku verifikoi qendrën dhe numrin rendor.
Fillimisht, çdo votues verifikon numrin e QV-së, aty ku ka edhe emrin në lagjen ku banon. Sekretari i komisionit të qendrës së votimit lexoi numrin serial të kartës së identitetit, ndërsa votuesja në këtë rast firmosi përbri emrit të saj.
Më pas iu ushtrua kontrolli i gishtërinjve, nëse ka votuar apo jo më herët, i ngjyroset gishti i madh i njërës dorë me bojë, ndërsa komisioni i bëri gati fletën e votimit me vulat përkatëse.
Gazetarja u drejtua për në këndin e fshehtë ku vendosi shenjën X në kuadratin përkatës të partisë për të cilën ka votuar. Fletën e votimit e ka palosur në katërsh, duke lënë të dallueshme vulat, e më pas e hodhi në kutinë e votimit.
Në fund, bëri edhe një provë për të parë nëse boja te gishti i fshihej me ujë, gjë që nuk ndodh. E në këtë mënyrë nuk mundet të votojë për herë të dytë gjatë ditës së sotme.
Top Channel