Analiza e zgjedhjeve, “Radio Vatikani”: Si po ecën Shqipëria

25/06/2017 00:00

Ka shumë mënyra për t’i parë zgjedhjet në Shqipëri, por në një pikë afrohen të gjithë: ato mund të përbëjnë një hap të rëndësishëm përpara drejt Bashkimit Europian.

Federica Mogherini, dy ditë më parë deklaronte se afrimi i Ballkanit me BE-në do të jetë një prej dy prioriteteve kryesore të saj për periudhën në vazhdim. Dhe kjo, jo sepse rajoni konsiderohet si fëmija problematik i Europës, por sepse shefja e diplomacise europiane mendon që ai ka potencial shumë të madh.

Më herët, edhe shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg do të deklaronte fort dhe qartë se Shqipëria luan një rol të rëndësishëm në aleancën atlantiko-veriore. “E vlerësojmë shumë kontributin e saj”, ishte komenti i tij.

Të dyja këto deklarata të bëra përpara zgjedhjeve dëshmojnë qartë sesa thelbësor është ky moment për vendin, në një kohë kur perspektiva europiane e tij sa vjen e qartësohet gjithmonë e më shumë.

Eksperti i jetës politike shqiptare, Sebastien Gricourt i kujtoi Radios së Vatikanit se çfarë peshe ka në sytë e Brukselit çështja e Reformës në Drejtësi dhe “vetting”-u, e cila është trumpetuar me të madhe këtë vit.

Por ajo që vëren Gricourt këtë radhë është vullneti për të kaluar në veprime që lejojnë transparencën e zgjedhjeve dhe klima, sipas tij është më e mirë se herët e tjera. “Votimet e 25 qershorit, – këmbëngul ai, – do të kenë një rol të madh në marrëdhënien me BE-në, që nga ana tjetër nuk ka ndërmend të lëshojë pè te kapitulli i madh i reformës së gjyqësorit, sepse ecuria e saj do të pasqyrohet në progresraportin e vjeshtës”.

Pas vitesh të tëra problematikash të brendshme, Shqipëria për Gricourt duhet parë si faktor stabiliteti në Ballkan, sidomos në raport me Kosovën e Maqedoninë, ku faktori shqiptar ka ndikim shumë të madh.

“Shqipëria ka një rol tejet të rëndësishëm diplomatik në Ballkan, – vazhdon ai, – një zonë ku përplasen ndikime të ndryshme, e ku shqetësim të madh po ngjallin sidomos ndërhyrjet e Rusisë, që janë me rrezik për rajonin në tërësi”.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta