Zgjedhjet, MD publikon planin e masave për votimet në burgje

24/06/2017 00:00

Ministri i Drejtësisë, Gazmend Bardhi u ka shpërndarë strukturave në vartësi të tij një plan të posaçëm masash për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në burgje ditën e diel.

Siç thuhet në një njoftim për shtyp, në kuadër të këtij plani Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve ka kaluar në gatishmëri të plotë, sikurse të gjitha strukturat e tjera që mbikëqyrin institucionet e shlyerjes së dënimit.

Plani ka udhëzime specifike për të gjithë drejtuesit e burgjeve, të cilëve ditën e nesërve do t’u ndalohet çdo kontakt me të burgosurit.

Ndërkohë, në bashkëpunim me vëzhguesit vendorë e ata të huaj, punonjës të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve do të mbikëqyrin procesin zgjedhor.

Për mbarëvajtjen e procesit është urdhëruar edhe rritja e masave të sigurisë në institucionet e shlyerjes së dënimit, përgjegjësi që i ka kaluar policisë së burgjeve, e cila që prej ditës së sotme ka kaluar në gjendje gatishmërie.

Nga ana tjetër, ministri Bardhi u ka bërë thirrje gjithë qytetarëve që të denoncojnë në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë çdo rast të përfshirjes së punonjësve të këtij dikasteri ose të institucioneve në vartësi të saj në aktivitetet për shit-blerje vote, frikësim të votuesve, apo shkelje të tjera.

“Çdo denoncim do të trajtohet në kohë reale dhe do të merren masa të menjëhershme për të rivendosur ligjin”, thuhet në njoftimin për shtyp të MD, ku u bëhet thirrje edhe qytetarëve që të tregohen bashkëpunues.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA