Blerja e votave, hetim drejtorit të Rrugëve

24/06/2017 00:00

Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor, Dashamir Xhika është nën hetim nga prokuroria, pasi dyshohet se është përfshirë në një skemë për blerjen e votave.

Sipas materialit të prokurorisë, një biznesmen që identifikohet si Shkëlqim B, në bashkëpunim me drejtorin e përgjithshëm të Rrugëve premtonte para në këmbim të votës për një subjekt politik në disa zona të Cërrikut dhe fshatrat përreth.

Sipas prokurorisë, pasi biznesmeni paguante paratë, lista me kartat e identitetit i shkonte drejtorit të Rrugëve.

Ndërkohë, për veprën penale të shit-blerjes së votës, policia e Shkodrës ka ndaluar 7 persona. Në lagjen “Guerrile” u kap një 48-vjeçar dhe 4 persona që e shoqëronin, të cilët me një mjet të KESH po shpërndanin para. Sipas të ndaluarve, çeqet që iu gjetën janë dëmshpërblimet që KESH po u jepte familjeve të permbytura.

Në një tjetër rast, sërish policia e Shkodrës ndaloi një doganier në doganën e Vermoshit, Izmir Bushaj, i cili u kap me një listë votuesish dhe një sasi të kosniderueshme parash, 48 kartmonedha me prereje 2 mijëlekëshe.

Së bashku me të policia ndaloi edhe Xhyher Bushajn, të dy banues në fshatin Kullaj. Policia bën me dije se ka informacion të mjaftueshëm se elementë të caktuar kanë në përdorim dhe shpërndarë aparate, me të cilat do të tentojnë të fotografojnë votën, si dëshmi për blerjen e saj.

Në njoftim theksohet se reagimi do të jetë shumë i ashpër për ndëshkimin e çdo krimi elektoral dhe se po mbahen nën mbikëqyrje elementë që kanë shfaqur tendenca për blerjen e votës.

Nga ana tjetër, Policia e Shtetit ka paralajmëruar çdo qytetar që ka rënë pre e tentativës për shit-blerjen e votës të heqë dorë në kohë nga ky aktivitet kriminal, pasi do të përballet me forcën e ligjit.

Top Channel