“Xibraka”, Prokuroria kërkon 126 vite burg për trafikantët e kokainës

20/06/2017 00:00

Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon dënimin me 126 vite burgim për 9 anëtarët e grupit të njohur si “Xibraka”, mes të cilëve edhe nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha, të akuzuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Nga 13 deri në 15 vite burg janë masat e dënimit që ka kërkuar Prokuroria.

Pretenca e Prokurorisë:

Ilir Hyseni, 14 vite burgim
Genci Xhixa, 15 vite burgim
Arjan Dalipi, 13 vite burgim
Cesar Avila, 14 vite burgim
Valter Moreno, 14 vite burgim
Ermal Hoxha, 13 vite burgim
Sajmir Batku, 15 vite burgim
Gentian Gjonaj, 14 vite burgim
Kelmend Dalipi, 14 vite burgim

Nga shqyrtimi gjyqësor i kësaj çështjeje, sipas Prokurorisë rezultoi se, 9 të pandehurit kanë krijuar një grup të strukturuar kriminal dhe nëpërmjet tij kanë futur në territorin e Shqipërisë lëndë narkotike kokainë, të fshehur në lëndë të tjera.

Për ndarjen e lëndës narkotike, të pandehurit kishin ngritur edhe një laborator në fshatin Xibrakë të Elbasanit, ku bëhej veçimi i kokainës nga lënda në të cilën ishte fshehur.

Ky grup u godit në vendin tonë, në bazë të informacioneve të ardhura nga autoritetet e drejtësisë gjermane. Pas pretencës, radhën e kanë avokatët mbrojtës që të japin konkluzionet e tyre, përpara se gjykata të shprehet me vendimin përfundimtar.

Top Channel