Gjyqi i Shullazit, përballja me dëshmitarin Ylvi Beqja

20/06/2017 00:00

“Unë i humba të gjitha shpresat tek drejtësia shqiptare, në këtë moment një avokat i njohur më takoi me Emiliano Shullazin, përmes një kontrate dhurimi rashë dakord t’i jepja 20 përqind të ish-Vollgës, 10 prej tyre do përdoreshin për regjistrimin e pronës dhe 10 përqind do t’ju jepeshin gjyqtarëve”, kështu e përshkroi dëshmitari i mbrojtur Ylvi Beqja takimin e parë me Emiliano Shullazin.

Për më tepër se 4 orë e 30 minuta dëshmitari Ylvi Beqja rrëfeu se si pas afro dy dekadave beteja gjyqësore për të regjistruar ish-Vollgën përfundoi në një mik e më pas kundërshtar i pesë të pandehurve që akuzohen për gjobëvënie, mes tyre edhe i Emiliano Shullazit.

Pyetjet e të akuzuarit kryesor Emiliano Shullazi drejtuar dëshmitarit ekspozuan emra të njohur që nga politika, hipotekat deri tek gjyqtarë dhe ish-zëvendës drejtori i Shërbimit Informativ, Ylli Alushi.

Duke nënkuptuar se ai dinte sekrete dhe kishin qenë bashkë në përpjekjet për ish-Vollgën, Shullazi e kujtoi dëshmitarin “a e mban mend kur me sillje të fala nga Alushi? A e mban mend kur më premtove se do ngrinim një biznes bashkë për riciklimin e mbetjeve spitalore, pasi të fitoje tenderin në Ministrinë e Shëndetësisë pasi kishe kushëri ministrin? Përmes pyetjeve, Shullazi i kujtoi dëshmitarit edhe takimin me ish-drejtorin e Përgjithshëm të Hipotekave pasi për ish-Vollgën, sipas tij, kishin dalë në pah konflikte nga djemtë e një deputeteje.

Për këtë përplasje, Shullazi i kujtoi dëshmitarit shoqërimin në policinë e Durrësit që siç u komentua nga Ylvi Beqja ndodhi në kohën kur ata kuptoheshin me njëri-tjetrin. Por pasi ishte kryer regjistrimit i pronës siç e kishte marrë përsipër Shullazi, Ylvi Beqja kujtoi se para noteres i pandehuri kishte mësuar shitjen edhe të 10 përqind të ish-Vollgës tek një shtetas tjetër.

“Shullazi më tha kujtoi dëshmitarit se nga 20 përqind do t’i jepte 30 përqind si edhe lekët e paguara nga shtetasi tjetër në një vlerë prej afro 550 mijë euro. Me kërcënime, ata më morën gjithçka”, tha dëshmitari, “me telefononin e më thoshin a ka më gjethe”.

Pas arrestimit të të dyshuarve, dëshmitari pretendoi se grupi ka vijuar kërcënimet përderisa shtetasi Elvis Martini i kishte kërkuar të tërhiqej nga dëshmitë dhe si shkëmbim do t’i jepeshin 7 milionë euro.

Gjykata e shtyu marrjen e dëshmisë për të martën e ardhshme.

Top Channel