Xhafaj: Pastrimi i drejtësisë, rrugë pa kthim

19/06/2017 00:00

Fatmir Xhafaj udhëhoqi prej fillimit reformën në drejtësi dhe tani, me ngritjen e komisioneve të vettingut, ai është i kënaqur që procesi për pastrimin e drejtësisë ka hyrë në një rrugë pa kthim.

“Është një proces që do të hajë pak kohë, por është një proces i domosdoshëm për t’i hapur rrugë pastaj fillimit të procesit shumë shpejt për kalimin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve.  Fillimisht, nga hierarkia e sistemit, nga Prokuroria e Përgjithshme, Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë e me radhë”, tha Xhafaj.

Ish-kryetari i komisionit të reformës në drejtësi u tregua mirëkuptues me ata që dyshojnë tek aftësia dhe integriteti e disa prej anëtarëve të vettingut, por për këta kishte një paralajmërim.
 
“Ky është një proces i vështirë, është vetëm fillimi i këtij procesi. Është bërë një përpjekje shumë e mirë për të përzgjedhur më të mirët, natyrisht midis tyre mund të ketë ndoshta edhe njerëz të papërshtatshëm. Ngelet për t’u provuar në ditët në vijim, por unë jam shumë i bindur, se nëse ka të tillë, shumë shpejt, edhe ata nuk do të jenë më pjesë e këtyre strukturave”, deklaroi Xhafaj.
 
Nisja e zbatimit të ligjit të vettingut nuk do të thotë vetëm pastrim i sistemit të drejtësisë. Fatmir Xhafaj paralajmëroi atë që presin të gjithë pas ngritjes së prokurorisë së posaçme dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit.

“Sapo ka nisur faza e dytë e këtij procesi historik, ajo e zbatimit të reformës në drejtësi për të përgatitur më pas fazën tjetër të rëndësishme, pastrimin e politikës nga njerëzit e korruptuar, proces që do ta realizojnë gjyqtarët dhe prokurorët e ndershëm, të pavarur dhe me integritet”, u shpreh Xhafaj.

Top Channel