Basha në Sarandë: Do heqim TVSH për turizmin

19/06/2017 00:00

Lulzim Basha u shpjegoi banorëve të Sarandës planin ekonomik që sipas tij ul taksat, ul çmimin e naftës dhe energjisë, masa që do të sjellin qarkullimin e lekut, rritjen e konsumit e të prodhimit.

Lulzim Basha i sqaroi qytetarët e Sarandës për programin ekonomik gjatë ecjes dhe takimeve me ta sot në mesditë. Sipas zyrës së shtypit të Partisë Demokratike, në një kafene Basha takoi disa pensionistë me bindje të ndryshme politike, midis tyre edhe Vangjelin, që ka votuar më parë socialistët.

“Mos e harxhoni kohën kot. Por shpjegoja Vangjelit se plani jonë funksionon për të gjithë, edhe për socialistët. Këto zgjedhje nuk bëhen për stoicizëm por për xhepin e gjithë qytetarëve”, i kërkoi Basha mikut të tij, mbështetës i Partisë Demokratike.

Kryedemokrati u tha taksistëve të qytetit se paketat turistike për të huajt nuk do të kenë taksën 20% të TVSH-së dhe kjo do të sjellë më shumë turistë në Sarandë dhe Shqipëri. Po ashtu, Basha i njohu me planin për heqjen e taksës së naftës, 240 lekë për litër, që do të ndikojë menjëherë në uljen e çmimit.

Bizneseve të vogla në qytet Basha u tha se plani i tij ka vetëm 1 taksë, 1.5% të xhiros dhe nuk do të paguajnë asnjë cent më shumë, ndërsa tatimorët nuk do të guxojnë të shkelin në bizneset e tyre. Ulja e taksave do të ndihmojë ekonominë dhe do të rrisë xhiron e tyre përmes konsumit.

Basha u takua edhe me një grup peshkatarësh të qytetit, të cilët u shprehën se ndodhen në prag të falimentit dhe çdo furnizim e marrin në Korfuz për çmime më të ulëta. Ai tha se plani ekonomik i tij përmban 100 milionë euro subvencion mes të cilave edhe për peshkatarët.

Top Channel