“Tërmeti” i zgjedhjeve britanike i hoqi Partisë Konservatore të Theresa May-t shumicën parlamentare, duke e detyruar të lëshojë mbi 10 vende në Parlament.
Përfundimi i papritur i një fushate të mbushur me parashikime për fitore historike të konservatorëve, ngriti menjëherë pikëpyetje nëse May duhet të vazhdojë ta ruajë pozicionin e saj në Downing Street, gjë të cilën ajo e hodhi poshtë e madje pas mesditës pritet të shkojë në Buckingham Palace për të kërkuar lejen e krijimit të qeverisë së re.
Londinezët e pyetur nga Reuters mendojnë se May duhet të largohet. “Nuk e di, por them se tani duhet të japë dorëheqjen, apo jo?”, thotë një burrë.
“Më duket se Theresa May bëri një hap të madh prapa. Ajo e luajti lojën, por humbi”, shprehet një tjetër.
Rezultati rrezikon të çorientojë planet e largimit nga Bashkimi Europian, duke kërcënuar ta lërë Britaninë pa organizim vetëm disa ditë përpara fillimit të bisedimeve me liderët europianë mbi kushtet e Brexit-it. Ishte vetë May ajo që i kërkoi zgjedhjet e parakohshme me qëllimin të forconte pozitat e saj në negociata. Për kryeministrin francez Edouard Philippe, vendimi befasues i popullit britanik nuk e vë megjithatë në pikëpyetje daljen e vendit nga BE-ja.
“Nuk jam i sigurtë nëse ky rezultat duhet lexuar si pikëpyetje ndaj pozicionit sovran të popullit britanik për Brexit-in. Mbase do të ndikojë tek toni i diskutimeve, por çdo ekzekutiv që del nga këto zgjedhje do të jetë partner legjitim dialogu me qeverinë franceze”, tha Philippe.
Reagimet e vetë shtypit britanik kanë qenë të forta, me tituj si ai i “The Sun” që ndryshonte mbiemrin e kryeministres, duke e quajtur Theresa Dismay, apo frika, duke iu referuar drojës së britanikëve nga Brexit. Për gjermanët, goditja ndëshkuese e publikut britanik ndaj kryeministres, së cilës i mohoi një mandat më të fortë, do t’i bëjë bisedimet e Brexit-it akoma më të vështira e më komplekse.
Top Channel