Zgjedhjet, vendos ekonomia. Shifrat, më mirë se 2013, por efekti i ulët

08/06/2017 00:00

Në vitin 2013, Shqipëria gati u zhyt në stanjacion. Rritja ekonomike ra në 1 për qind dhe, prej 3 vitesh, të gjithë treguesit ishin në përkeqësim.

Qeveria e re riktheu me urgjencë Fondin Monetar Ndërkombëtar në Tiranë, me të cilin firmosi një program me dy objektiva; ndaljen e krizës ekonomike dhe rikthimin e stabilitetit fiskal.

Rritja ekonomike është forcuar nga 1 për qind, që ishte në 2013-n, në 3.5 për qind vitin e kaluar. Por si është ndikuar ekonomia familjare nga këto zhvillime?

Kanali kryesor që përkthen rritjen ekonomike në mirëqenie për qytetarët është punësimi. Numri i të papunëve u rrit ndjeshëm deri në vitin 2014-n, kur papunësia shënoi rekordin 17.5%. Por, pas vitit 2014 ajo ka rënë dhe vitin e kaluar zbriti në 15.2 për qind, si pasojë e ecurisë së fortë të punësimit në sektorët e manifakturës dhe shërbimeve.

Më shumë shqiptarë kanë një punë. Por jo domosdoshmërisht të gjithë kanë fituar më shumë. Ecuria e pagave reale në shtet, sipas INSTAT-it, në 3 vitet e fundit janë ulur.

“Pagat e shqiptarëve, për herë të parë që nga viti 1992, sipas INSTAT-it kanë pësuar rënie. Po si mund të pranosh që ekonomia të bjerë në gropë e ti t’u gëzohesh pllakave e palmave?”, shprehej Basha i ftuar në “Top Story” të gazetarit Sokol Balla.

Por, qeveria thotë se pagat neto nuk kanë rënë, pasi ajo i ka kompensuar punonjësit me uljen e taksave, ndërkohë që këtë vit pagat u rritën me 10 për qind.

“Taksa progresive, ajo që ne do të vazhdojmë ta konsolidojmë, u ktheu shqiptarëve 120 milionë dollarë në vit, më saktë 97% të të punësuarve”, ishte kundërpërgjigjja e kandidatit socialist për deputet, Arben Ahmetaj, sërish në “Top Story”.

Me gjasa, ekonomia do të jetë sërish përcaktuese në zgjedhje. Më 25 qershor, të gjithë do të jenë në provim. Opozita për modelin që premton, ndërsa qeveria edhe për atë që realizoi në 4 vitet e shkuara.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA