SHBA: Rusët prodhuan krizën e Katarit me “fake news”

07/06/2017 00:00

Pas krizës së Katarit mund të qëndrojë Rusia. Hetuesit amerikanë besojnë se “hacker”-at rusë mund të kenë hyrë në faqen e agjencisë shtetërore të lajmeve atje, e të kenë vendour një artikull të rremë, i cili ka kontribuar në krizën e aleatëve më të ngushtë të Shteteve të Bashkuara në Gjirin Persik.

FBI-ja ka dërguar një ekip të sajin në Doha për të ndihmuar qeverinë e Katarit të hetojë sulmin e supozuar kibernetik. Informacionet e mbledhura nga shërbimet sekrete amerikane tregojnë se një ndërhyrje e “hacker”-ave rusë është raportuar nga ekzekutivi i Katarit përpara dy javësh.

Ky shtet strehon njërën prej bazave më të mëdha ushtarake të Amerikës në rajon.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump i bëri thirrje Arabisë Saudite dhe të tjerëve për unitet mes vendeve të gjirit, pas ngërçit të krijuar mbi pretendimet se Katari mbështet militantët ekstremistë. Ndërkohë, më parë ai vet ishte shprehur se lëvizja saudite për izolimin e Katarit mund të shënojë fillimin e fundit të tmerrit të terrorizmit.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan mendon se izolimi i Dohas nuk ka për ta zgjidhur krizën.

“Të tentosh izolimin e Katarit, që ka ndërmarrë padyshim një luftë efikase kundër terrorizmit, nuk kontribuon në zgjidhjen e problemeve. Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë në kapërcimin e këtij ngërçi. Shpresoj që sanksionet kundër Katarit të hiqen sa më shpejt, sepse që ta klasifikosh si vend mbështetes të terrorizmit, kjo është akuzë shumë e rëndë”, tha Recep Tayyip Erdogan.

Ndërkohë, kriza ka çuar në rritjen e çmimit të naftës, udhëtimit tokësor e atij detar, e ka mbjellë edhe frikë për vështirësi në furnizimin me ushqime.

Top Channel