Koncerti i bamirësisë, Manchester i tha “Jo” terrorizmit

05/06/2017 00:00

Plot 13 ditë pas sulmit në koncertin e Ariana Grande, ku humbën jetën 22 persona, Manchesteri i tha jo terrorizmit dhe frikës.

Këngëtarja amerikane u rikthye në qytetin britanik mbrëmjen e së dielës, duke kryesuar një koncert bamirësie për 50 mijë fansa në “Old Trafford”, më pak se 3 km larg “Manchester Arena”-s.

Këtë herë, Grande nuk ishte vetëm, por e shoqëruar nga një sërë emrash të njohur të muzikës, të cilët e shndërruan koncertin në një mbrëmje uniteti, shërimi dhe gëzimi. E pavarësisht rrethanave, atmosfera festive dominioi shfaqjen.

“Ju dua shumë dhe mendoj se kjo lloj dashurie e uniteti që po tregoni është ilaçi që i duhet botës”, tha Ariana Grande.

Grande, e cila në disa raste nuk ka mundur t’i përmbajë lotët, performoi me Miley Cyrus dhe “Black Eyed Peas”, ndërsa mes pjesëmarrësve të tjerë në koncertin e quajtur “One Love Manchester” ishin Katy Perry, “Coldplay”, Robbie Williams, Liam Gallagher dhe Justin Bieber.

Të pranishmit duket se e shijuan në maksimum mbrëmjen dhe, jo vetëm fansat, por ishin edhe efektivët policorë e stafi mjekësor që kërcyen e kënduan bashkë me këngëtarët.

Grande u shfaq disa herë gjatë koncertit dhe tha se kishte ndryshuar listën e këngëve në momentin e fundit, pas një takimi me nënën e 15-vjeçares Olivia Campell-Hardy, që ishte mes 22 viktimave të sulmit. Ajo këndoi gjithashtu “Don’t look back in anger”, në një duet me Chris Martin, përpara se ky i fundit të shoqëronte vokalistin e “Oasis”, Liam Gallagher, në këngën “Live Forever”.

Organizatorët thanë se shfaqja kishte grumbulluar dy milionë paund për viktimat dhe familjarët përmes donacioneve “online”, duke e çuar totalin e fondit “Ne e duam Manchesterin” në më shumë se 10 milionë paund.

FOTO GALERI
1/8
Ariana Grande

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA