Kreditë e buta, Bashkia zbulon detaje të reja

22/05/2017 00:00

Nga 8 maji, kur u çel zyrtarisht procesi për aplikimet për kredi të butë dhe deri më tani, në Bashkinë e Tiranës janë regjistuar 441 aplikime të reja.

Po si do të veprohet me dosjet e dorëzuara përpara thirrjes së 8 majit? A do të digjen ato? Po aplikantët që kanë dorëzuar dokumentet pas kësaj date, çfarë duhet t’i shtojnë dosjeve të tyre?

“Për të gjithë ata persona që kanë aplikuar pas datës 7 mars, do duhet të plotësojnë vetëm formularin e referimit për këtë program dhe gjithë dokumentet janë të vlefshme. Ata që kanë aplikuar para datës 7 mars duhet të ribëjnë dokumentet nga e para që të mos digjen”, deklaron Anisa Ruseti, drejtoreshë e Strehimit pranë Bashkisë së Tiranës.

Por, nëse numri i fituesve në këtë fazë nuk do të jetë ai që parashikon bashkia, aplikantët do të kenë edhe një mundësi të dytë për t’u shpallur fitues.

“Do kemi dy thirrje. Nëse nuk plotësohet numri prej 1.000 përfituesish, bashkia do të dalë me një thirrje të dytë publike”, thotë Ruseti.

Bashkia e Tiranës jep 80% të vlerës së kredisë, e cila duhet të shlyhet brenda një afati prej jo më shumë se 20 vitesh. Pas kësaj periudhe, nëse nuk e shlyen, atëherë do të nisë një marrëdhënie e re mes individit dhe bankës, jo më me interes 3%, por me interesat e tregut.

“Bashkia e subvencionon shumën e kredise për maksimumi 20 vjet, por nëse personi do 30 vjet afat për ta shlyer, atëherë do të shkëpusë marrëdhënien me bashkinë dhe do të nisë një marrëdhënie me bankën”, saktëson Ruseti.

Sipas Bashkisë së Tiranës, skema e kredive të buta, që për herë të parë vjen si projekt i saj, është më fleksibël se ajo që aplikon qeveria, pasi kriter janë veçanërisht të ardhurat financiare dhe jo domosdoshmërisht numri i pjesëtareve në një familje.

Pra, kandidatët mund t’i kërkojnë metrat katrorë sipas buxhetit të tyre mujor dhe jo mbi numrin e fëmijëve apo të personave të tjerë në ngarkim.

Top Channel