Testi rajonal, Merkel merr mbështetje të fortë

14/05/2017 00:00

Kristiandemokratët e Angela Merkel kanë shënuar një fitore të rëndësishme në zgjedhjet lokale në rajonin e Nordreinh Westfallen, të paktën sipas “exit polleve”.

Televizioni gjerman ARD tha se partia CDU e kancelares gjermane do të marrë 34,5% të votave duke larguar nga pushteti në këtë land socialdemokratët që projektohet të marrin 30,5% të mbështetjes popullore.

Socialdemokratët kanë drejtuar asamblenë rajonale të Nordreinh Westfallen, landit më të populluar në Gjermani, për shumicën e viteve të pas luftës. Kjo është disfata e tretë e socialdemokratëve që prej Marsit, diçka që tregon se thuajse nuk kanë më shpresa që ti mohojnë Merkelit një mandat të katërt katër vjeçar në zgjedhjet e përgjithshme të shtatorit.

Zgjedhjet rajonale në Nordreinh Westfallen shiheshin si një test i rëndësishëm për ato të përgjithshme dhe duket se Merkel e ka kaluar me sukses.

Lideri i socialdemokratëve, Martin Schulz kishte parashikuar se një fitore në këtë land do ta bënte atë kancelarin e ardhshëm të Gjermanisë, por duket se zgjedhësit kanë vendosur ndryshe.

Partnerët e preferuar të CDU-së së Merkel, Demokratët e Lirë parashikohet të marrin 12% të mbështetjes popullore në Nordreinh Westfallen duke i kaluar pushtetin rajonal në këtë land partisë së kancelares.

Top Channel