Arkeologët në Egjipt zbuluan një varrezë të lashtë ku gjenden të paktën 17 mumie kryesisht të paprekura, i fundit në një vazhdë zbulimesh që sipas autoriteteve vendase janë një dorë e vlefshme ndihme nga varri për sektorin në telashe të turizmit.

Varreza antike, e cila u zbulua 8 metra nën sipërfaqen e tokës në zonën e Minias, rreth 250 km në jug të Kajros, përmban sarkofagë guri gëlqeror dhe argjile, arkivolë kafshësh dhe papiruse.

Kjo kriptë e lashtë u zbulua së pari vitin e shkuar nga studentët e Universitetit të Kajros, të cilët përdorën radarë për të skanuar nëntokën e zonës.

Ende nuk është përcaktuar mosha e mumieve, por besohet se i përkasin epokës greko-romake të Egjiptit, një periudhë prej rreth 600 vjetësh që pasoi pushtimin e vendit nga Aleksandri i Madh në vitin 332 para Erës Sonë.

Egjipti shpreson se zbulimet e fundit arkeologjike do të përmirësojnë imazhin e vendit jashtë kufijve dhe do të ringjallin interesin e turistëve që dikur dyndeshin në masë tek tempujt e faraonëve dhe piramidat, por që janë pakësuar ndjeshëm që prej trazirave politike që nisën në 2011-n.

Sektori i turizmit në Egjipt ka pasur mjaft probleme që atëherë, sidomos edhe me shtimin e sulmeve terroriste në vend.

FOTO GALERI
2/5

Top Channel