Angli, sulm kibernetik në Sistemin Shëndetësor Kombëtar

12/05/2017 00:00

Sistemi kompjuterik i Shërbimit Shëndetësor Kombëtar në Angli ka pësuar defekte të rënda, që besohet se janë shkaktuar nga një sulm kolosal kibernetik.

Spitale dhe kompani shëndetësore në Londër, Blackburn, Nottingham, Cumbria dhe Hertfordshire janë prekur ndjeshëm.

Mësohet se, në shumë prej këtyre institucioneve janë fikur telefonat dhe sistemet elektronike, ndërsa shumë urgjenca kanë lajmëruar njerëzit që të mos shkojnë atje, nëse nuk bëhet fjalë për probleme serioze shëndetësore.

Zyrtarë të Shërbimit Shëndetësor në Angli thanë se janë në dijeni të situatës dhe po merren me të. Një program që quhet “Ransomware” besohet se fshihet pas këtij sulmi kibernetik.

Qendrat e prekura shëndetësore kanë shtyrë që të gjitha aktivitetet e planifikuara që nuk janë urgjente, si dhe u kanë kërkuar njerëzve që të mos shkojnë në spitale për gjëra të vogla.

Përfaqësues të Shërbimit Shëndetësor thanë se inxhinierët po punojnë për të zgjidhur sa më shpejt këtë problem. Shumë mjekë nga klinika të ndryshme në vend thanë se kishin marrë lajmërime nga kolegët e tyre që të fiknin me shpejtësi sistemet kompjuterike, përndryshe do ta pësonin edhe ata.

Mediet britanike vënë në dukje se, Shërbimi Shëndetësor Kombëtar në Uells ka një sistem të ndarë kompjuterik nga ai i Anglisë dhe nuk është prekur fare, diçka që shton bindjen se bëhet fjalë për një sulm kibernetik.

Top Channel