Refugjatët e mitur në Ballkan, Unicef: 25 mijë fëmijë peng i burokracive

05/05/2017 00:00

Unicefi kërkon rikthimin e vëmendjes tek refugjatët e mitur, të bllokuar në vendet e Ballkanit perëndimor, ndërsa presin bashkimin me të afërmit e tyre.

Vonesat, sipas organizates së OKB-së që merret me gjendjen e fëmijëve nëpër botë, shkaktojnë trauma e kjo duhet shmangur. Të dhënat e saj tregojnë se në shtetet ballkanike e ato të Europes Juglindore qëndrojne rreth 75.000 refugjatë dhe migrantë pa asnjë perspektivë të qartë për të ardhmen.

Gati 25.000 prej tyre janë minorenë. “Megjithëse e kanë të drejtën legjitime të bashkohen me familjet e tyre në vendet e Europës Perëndimore, si Gjermania apo Suedia, shumica nuk e dinë, nëse do t’iu lejohet udhëtimi e kur mund të ndodhë kjo”, thuhet në një deklaratë të organizatës me seli në Nju Jork. Ka nëna dhe fëmijë që kanë muaj apo vite që nuk e kanë parë bashkëshortin apo babanë.

Procesi i bashkimit familjar zvarritet kaq shumë dhe pasiguria është kaq e madhe, saqë tek fëmijët kjo shkakton dëme emocionale dhe frikë i tha Dojçe Veles eksperti i Unicef-it, Afshan Khan.

Ai theksoi se në shume raste janë meshkujt që e kanë ndërmarre udhëtimin drejt Europës, ndërkohë që familja duhet t’i bashkohej më vonë. Por me mbylljen e kufijve në 2016-tën dhe hyrjes në fuqi të marrëveshjes BE-Turqi, shumë familjarë kanë mbetur të ngujuar në vendet tranzit e ky proces mund të zgjasë deri në 2 vjet.

Vitin që shkoi, u paraqiten 5000 kërkesa për bashkim familjar në Greqi, 700 prej tyre nga minorenë të pashoqëruar ose të mitur të ndarë nga familjet.

Top Channel