Franca voton të dielën, Macron në avantazh me 62%

05/05/2017 00:00

Dy kandidatët për pallatin Elize në Francë po e shfrytëzojnë ditën e fundit të fushatës për të tërhequr pas vetes sa më shumë votues të munden.

Liberali Emmanuel Macron e ka thelluar akoma më tej avantazhin e tij në sondazhet parazgjedhore, të cilat shkojnë deri aty sa të profetizojnë që pretendenti i qendrës do të rrëmbejë 62% të votave të dielën, ndërsa Le Peni nuk do të arrijë të grumbullojë më shumë se 38%.

Thashethemeve “online” se ka një llogari të fshehtë bankare në Karaibe, 39-vjeçari Macron nxitoi tu vinte fre me paraqitjen e një padie në gjykatë. Akuzat që mund të dëmtonin shanset e tij për presidencën ia përmendi hapur rivalja Le Pen gjatë debatit televiziv të së mërkurës, e për këtë tani do të bëjë llogaritë me drejtësinë. Prokuroria e Parisit ka nisur një hetim mbi pretendimet e lideres së ekstremit të djathtë. Përgjegjësi për komunikimin në fushatën e Macron, Sylvain Fort, e bëri të qartë se kjo ishte një përpjekje e fundit e Le Penit për t’i vendosur shkopinj nën rrota kundërshtarit të saj.

“Është orkestruar e gjitha me shumë kujdes, që bomba të lëshohej 48 orë përpara mbylljes zyrtarisht të fushatës”, shprehet Fort. Një anketim i institutit Odoxa parashikon ndërkohë që në 7 maj, pjesëmarrja në zgjedhje do të jetë në nivelin më të ulët të parë ndonjëherë në një raund të dytë presidencial në Francë që prej vitit 1969. Sipas të njëjtit institut, votuesit e ekstremit të majtë ka shumë mundësi të mos e ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese.

Top Channel