Nuk ka arsye për t’u alarmuar për mirëqenien e Mbretëreshës Elizabeth II, apo bashkëshortit të saj, Princit Philip, pavarësisht se të gjithë pjesëtarët e stafit mbretëror janë thirrur në një takim në “Buckingham Palace”.
E përditshmja britanike “Daily Mail” kishte raportuar më herët se, ndihmës nga i gjithë vendi ishin thirrur në pallatin mbretëror për një takim urgjent, duke nxitur spekulime në mediet sociale për shëndetin e familjes mbretërore.
“Nuk ka asnjë arsye për t’u alarmuar”, thanë zyrtarët e pallatit mbretëror për agjencinë e lajmeve “Reuters”, pavarësisht se nuk pati asnjë koment zyrtar për raportet e medieve.
Mbretëresha, që festoi ditëlindjen e 91-të të saj muajin e kaluar, dhe bashkëshorti i saj Philip, që mbush 96 vjeç muajin e ardhshëm, vazhdojnë të kryejnë detyrat e tyre, edhe pse kanë reduktuar ngarkesën vitet e fundit.
Mbretëresha Elizabeth II u takua me kryeministren Theresa May të mërkurën, për të pranuar zyrtarisht shpërndarjen e Parlamentit para zgjedhjeve të qershorit, ndërsa Princi Philip hapi një stendë të re në një fushë kriketi në qendër të Londrës.
Top Channel