PD përgatit protestën; në Kavajë me “protestues paqësorë”

01/05/2017 00:00

Qeveria dhe opozita kanë nisur të komunikojnë me ultimatume, duke konfirmuar se sa më shumë afron 18 qershori, aq më shumë ashpërsohen qëndrimet.

“48 orë që opozita të bëhet alibia që asgjë të mos ndryshojë? Përgjigjja ime është kjo; ke 48 ditë përpara se të shpallim luftën totale për asgjësimin e republikës së vjetër”, deklaroi Lulzim Basha.
 
Afati 48-ditor i Bashës për Ramën përkon me 18 qershorin, kohë e cila për opozitën përkthehet vetëm në mosbindje civile.

“Mosbindja civil,e bashkimi i shqiptarëve në çdo formë e mjet paqësor e demokratik do të shtrihet kudo për të kulmuar më 18 qershor, ku shqiptarët e bashkuar do të rimarrin kontrollin fizik të Shqipërisë që u takon vetëm atyre dhe jo qeverisë së krimit e drogës”, vijoi kreu i PD.

Lulzim Basha nuk tregoi ndonjë akt të mosbindjes civile dhe kjo nuk ndodhi as në takimin me kryetarët e degëve të Partisë Demokratike për protestën e së dielës në Kavajë.

Deri më tani, porosia e vetme është pjesëmarrja e lartë dhe paqësore e protestuesve paraditen e së dielës në Kavajë. 7 maji shikohet si prova gjenerale e zgjedhjeve para 18 qershorit dhe Basha që tani diçka e thotë me siguri.

“Nuk e di si i ke bërë planet Edi Rama, por të jap fjalën se çfarëdo të kesh planifikuar me 18 qershor nuk do të qeverisësh asnjë orë të vetme pas 18 qershorit! Asnjë orë të vetme!”, tha Basha.

Megjithatë, kjo javë pritet të jetë politikisht e vështirë për kreun e opozitës, sepse ish-drejtues të Partisë Demokratike mund të shfaqin publikisht qëndrimet e tyre ndryshe nga ato të kreut të opozitës për zgjedhjet e 18 qershorit.

Ish-nënkryetarja demokrate, Jozefina Topalli konfirmoi për Top Channel se ka kërkuar mbledhjen e Grupit Parlamentar, por prej 3 javësh nuk ka asnjë përgjigje, kohë kjo që përkon edhe me mospjesëmarrjen e zonjës Topalli në takimet publike të grupit të deputetëve ditëve të enjte në çadrën e protestës.

Top Channel