Çadra goditet nga brenda, shpërthen Bregu kundër bojkotit

01/05/2017 00:00

Java nisi e vështirë për Lulzim Bashën, jashtë çadrës, por këtë herë nga brenda partisë së vet.

Ish-nënkryetarja Jozefina Topalli konfirmoi për Top Channel se i ka kërkuar kreut të grupit, Edi Paloka dhe më vonë kryetarit të partisë, Basha, mbledhjen e grupit parlamentar, por prej  3 javësh nuk ka asnjë përgjigje.

Për të treguar mosdakortësine me qëndrimet e Bashës, Topalli nuk shkon prej tre javësh në çadrën e protestës, duke mos marrë pjesë as në takimin publik të deputetëve të enjteve. 

Por e para që theu heshtjen ishte këtë të hënë Majlinda Bregu. për të treguar se jo vetëm i ka kërkuar Bashës mbledhjen e grupit, por edhe se nuk përkrah bojkotin e zgjedhjeve.

“Vendimi për të mos u futur në zgjedhje u mor pa lejuar asnjë debat real. Edhe vendimi për ta refuzuar paketën e kompromisit që propozuan miqtë tanë të PPE-se, u mor pa u konsultuar me askënd. Ku është PD pa një debat minimal dhe pa as më të voglën shenjë reflektimi në këtë situatë kaq të rrezikshme për të ardhmen e saj?!”, shkruan ajo në rrjetet sociale.

Majlinda Bregu lë të kuptohet se në Partinë Demokratike ka patur disa nga ata që ajo i quan “të fajshëm”, që kanë shpresuar tek divorci mes Ramës dhe Metës dhe rrëzimin e qeverisë për shkak të këtij divorci.

Por e bindur se Rama dëshiron të kapë çdo pushtet dhe se Partia Demokratike nuk duhet t’ja bëjë më të thjeshtë këtë, ish-ministrja e Integrimit thotë edhe një arsye tjetër, përse vendimi i Bashës i ngjan me atë të Ramës, kur nuk miratonte ligjet për integrimin 4 vjet më parë.

“Dhe ju siguroj, të gjithë ne që e kemi quajtur antieuropian e antikombëtar Edi Ramën, e kemi besuar se i tillë vetëm ai mund të ishte. Një arsye më shumë kjo për të mos rënë dakord sot me veprime e bllokime si ato të Edi Ramës dje”, shton Bregu.
 
Dhe bashkë me arsyen e integrimit të vendit, Majlinda Bregu, tregon se vendimi i saj për të thyer heshtjen kundër bojkotit të zgjedhjeve ka lidhje edhe me qëndrimin e Partisë Popullore Europiane, për të cilën ish-ministrja e Integrimit paralajmëron se mund t’i kthejë shpinën Partisë Demokratike për qëndrimin e saj me zgjedhjet. 

“Sot nuk mund të hesht më sepse edhe vetë ata që kurrë s’na kanë lënë vetëm më parë, që nga Presidenti Daul e deri tek i fundit në PPE, më përsërisin prej disa ditësh: “Na vjen keq po mesa duket nuk ju ndihmojmë dot më, sepse ju nuk doni të ndihmoni veten!”. Ata duan që PD të hyjë në zgjedhje! Ata duan që ne të jemi në parlament! Ata duan që të kthehemi menjëherë në Kuvend dhe të votojmë të gjitha ato që duhen për zgjedhjet e për reformën në drejtësi!”, vijon ish-ministrja e Integrimit.

Top Channel