Anëtarët e opozitës: KQZ, në shërbim të mazhorancës

01/05/2017 10:30

Si për të përforcuar qëndrimin e Partisë Demokratike për datën e fundit të dorëzimit të listave të kandidatëve pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, tre anëtarët e tij të zgjedhur nga opozita deklaruan se kjo datë është nul.

Përmes një njoftimi për shtyp, nënkryetari i KQZ-së, Hysen Osmanaj, Klement Zguri dhe Vera Shtjefni theksojnë se deklaratat e KQZ-së ditët e fundit nuk përfaqësojnë vendimmarrjen e këtij institucioni. Sipas tyre, ato janë qëndrime personale dhe në tejkalim të kompetencave të kryetarit Denar Biba.

“Fatkeqësisht, në deklaratën e datës 29 Prill 2017, jashtë mbledhjes së KQZ dhe në tejkalim të çdo kompetence ligjore, në emër të KQZ, është bërë një interpretim subjektiv i nenit 67 të Kodit Zgjedhor, duke vendosur që “afati i regjistrimit të listave shumemërore të kandidatëve të partive politike, të regjistruara si subjekte zgjedhore për zgjedhjet e datës 18 qershor 2017 korrespondon me datën 29 prill 2017”, pavarsisht se në çdo perllogaritje kjo datë duhej të ishte 28 prill 2017, në mesnatë”, lexohet në deklaratë.

Ata shkojnë më tej në akuzat për Denar Bibën, kur thonë se ai ka shpikur norma të reja ligjore në shkelje të Kodit Zgjedhor, duke vendosur një afat të ri ligjor për regjistrimin e subjekteve dhe listave të kandidatëve, datën 3 maj, në një kohë që ky afat ka mbaruar prej më shumë se 20 ditësh.

Ndaj, për 3 anëtarët e KQZ-së, çdo regjistrimin për lista nga subjektet zgjedhore përtej kësaj date është nul, i paligjshëm dhe i pavlefshëm, ndërsa KQZ-ja është shndërruar, sipas tyre, në një institucion të njëanshëm dhe në shërbim të mazhorancës.

Top Channel