Fushëbardha e braktisur

17/04/2017 00:00

Fushëbardha në Gjirokastër ishte dikur një prej zonave më të rëndësishme për industrinë e fosforit dhe atë të përpunimit të drurit. Sot, 200 banorë që ende jetojnë mes maleve, flasin për varfëri, për të ardhura minimale dhe mungesë të shërbimeve.

Në Fushëbardhë, një prej zonave të skajshme të njësisë administrative Cepo në Gjirokastër, jetojnë rreth 200 banorë, kryesisht të moshuar. Të rinjtë e braktisën zonën për shkak të papunësisë dhe mungesës së tokës. Banorët në Fushëbardhë flasin për të ardhura minimale vetëm prej pensioneve të pleqërisë, ndërsa thonë se u mungojnë shërbimet bazë, pastrimi, ndriçimi dhe kontrolli mbi pastërtinë e ujit të pijshëm.

“Më parë ka pasur punë. Tani nuk ka më fare, të rinjtë kanë ikur. Pleqve nuk u del as për ilaçe. Nuk bëhet fjalë që të jetojnë familje këtu”, thonë banorët.

Timoshenko Golemi, kryetar i fshatit, thotë se dikur Fushëbardha popullohej nga më shumë se 2000 banorë. 30% e burrave, tregon ai, ishin punëtorë në minierën e fosforit dhe 20% e tyre në ndërmarrjen e përpunimit të drurit. Shkolla kishte 500 nxënës dhe sot ka vetëm 5.

“Bëjmë kërkesa për rrugën, ujin dhe ndriçimin. Vijnë dhe bëjnë gjëra sa për të kaluar radhën”, thotë Golemi.

Pronat Fushëbardhës, banesa dhe toka janë të ngrira prej vitesh, për shkak të moskryerjes të regjistrimit fillestar. Procesi i cili pritet të nisë, sipas banorëve mund t’i hapë rrugë shit-blerjes së ligjshme dhe mundësive për investime.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA