Sebastian Vettel ka triumfuar në garën e tretë sezonale, në “Gulf Air Bahrain Grand Prix”, duke u rikthyer të kryesojë i vetëm renditjen për pilotë të Formula 1.
Gara ka qenë mjaft emocionuese, me Sebastian Vettel që parakalon Lewis Hamilton që në start dhe i bën presion Bottas.
Piloti i Ferrarit futet i pari në bokse dhe rikuperon shumë sekonda, ndërsa merr kryesimin i vetëm pas pit stop-it të dytë. 11 xhiro nga fundi, Bottas i vendit të dytë, i hap rrugë shokut të skuadrës, Hamilton, që të garojë me Vettel.
Britaniku u përpoq shumë të marrë kryesimin, por diferenca me Sebastian Vettel ishte shumë e madhe. Kështu, piloti gjerman i Ferrarit, megjithëse shfaqi probleme në provat zyrtare dhe u rendit i treti, arriti të fitojë garën e dytë sezonale.
Kjo ka qenë gara e tretë e këtij sezoni të Formula 1, pas të parës në Australi, të fituar nga Vettel dhe të dytës në Kinë, të fituar nga Hamilton.
Gara e ardhshme do të zhvillohet në Rusi, më 30 prill. Formula 1 kryesohet nga Vettel me 68 pikë, ndërsa Hamilton, në vendin e dytë me 61 pikë.
Në shkallën më të ulët të podiumit doli Mercedes tjetër e drejtuar nga Valtteri Bottas ndërsa vendi i katërt në garë, u rezervua për Kimi Raikonen. Ferrari i finlandezit ishte plot 22 sekonda larg shokut të skuadrës.
Top Channel