Afërdita është 3 herë gjyshe, por ajo tani është shndërruar edhe në mama për mbesën e saj, pasi u braktis nga vetë e bija e Afërditës, vetëm 2 ditë pasi kishte lindur. As e ëma, as i ati nuk e deshën vogëlushen e porsa ardhur në jetë. E çuan në shtëpinë e foshnjes, nga ku e nxorri gjyshja, një grua që edhe sot zotohet me jetën e saj se nuk do ta lërë kurrë vetëm.

“Hapa një gjyq, përfitova kujdestarinë dhe fëmijën e solla në shtëpi. Vajza ime e di sesi jeton e bija sepse vjen e viziton ndonjëherë. Babai absolutisht nuk vjen. Ka një pension për të paguar dhe as atë nuk e paguan. Nuk mund ta braktisja dot dhe sa të kem jetën time nuk do ta ndaj nga vetja”, thotë Afërdita.

Por gjyshja e kthyer në nënë, ka edhe stimuj të tjerë. Për këtë kategori shteti ofron 9 mijë lekë të reja në muaj, ndërsa për ata që kujdesen për fëmijë me aftësi të kufizuar, jep rreth 10 mijë lekë të reja. Sipas Bashkisë, në vitin 2017 kujdestari me pagesë brenda familjes ofrojnë 42 familje, 4 prej të cilave kujdesen për fëmijë me aftësi të kufizuar.

“Marrja e kujdestarisë kalon përmes një procesi gjyqësor, ku bashkia është palë e tretë, dhe ka detyrimin të bëjë një vlerësim social ekonomik për familjen e interesuar, ndërkohë që në gjykatë është edhe një psikolog, i cili merr pëlqimin e fëmijës nëse është dakord të jetojë me ta. Në rastet kur nuk ka asnjë alternative për fëmijën gjykata vendos që të regjistrohet në një institucion të përkujdesit social”, thotë Anisa Ruseti, Drejtore e Mbrojtjes dhe Përfshirjes Sociale.

Kujdestaria është shërbim i përkohshëm, por nëse prindërit biologjikë nuk riaftësohen për prindërim më të mirë, kujdestaria në familjen jo biologjike mund të shndërrohet edhe në të përhershme. Në raste të tilla, Bashkia e Tiranës e mbështet familjen edhe me ndihmë ekonomike apo me forma të tjera, siç është fondi për nxitjen e punësimit.

Po cilat janë kriteret që duhet të plotësojë një familje për të marrë në kujdestari një fëmijë?

“Duhet të ketë një komoditet të mirë për fëmijë, duhet të kenë lidhje gjaku me fëmijën dhe kushte social-ekonomike të përshtatshme”, thotë Ruseti.

Bashkia e Tiranës thotë se për të përmbyllur një proces kujdestarie është e vështirë sidomos për shkak të vakumeve ligjore. Por vështirësia më e madhe mbetet ajo: nëse familjet që adoptojnë këta fëmijë mund ti rrisin ata si prindërit natyrorë. Gjithsesi kjo dilemë nuk vlen për afërditën, gjyshen e mbesës së saj.

“Sado që kam peripeci nga ana ekonomike, nuk jam pa shpresë”, thotë Afërdita.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA