Ekspertët në Top Story: Konfliktualiteti politik po dëmton ekonominë

06/04/2017 00:00

Raportet e fundit të institucioneve vendase dhe sidomos të atyre ndërkombëtare flasin për një ecuri të mirë të ekonomisë së vendit. I fundit ishte ai i Bankës Botërore, që thotë se ekonomia shqiptare kishte rritjen më të fortë ndër ekonomitë e rajonit.

Por, si Banka Botërore ashtu edhe institucione të tjera, si ai i BMI Research theksin e vënë tek një kërcënim i vetëm i kësaj ecurie pozitive të ekonomisë dhe ky kërcënim vjen nga politika.

Për konfliktualitetin politike dhe ndikimin që ka ky konflikt në ekonominë e vendit dhe tek biznesi u diskutua këtë të enjte në Top Story me specialistë të ekonomisë.

Arben Malaj, ish-ministër i Financave thotë se pasojat janë ndjerë, por pasojat më të mëdha, shton ai janë në afat të gjatë, megjithatë shton se sa më shumë zgjatet kriza, aq më shumë shtohet presioni i biznesit ndaj politikës për dhënien fund të konfliktit.

“Kriza politike mund të zgjasë dhe derisa të organizohen zgjedhjet dhe do të zgjasë, por do të ketë elementë nga të gjitha krahët për të tejkaluar këtë krizë dhe këto elemente do të mbërrijnë nga ekonomia, nga biznesi”, u shpreh ai.

Ardian Civici foli për pasojat konkrete negative, që sipas tij kanë filluar.

“Bankat janë bërë më ngurruese për të dhënë kredi, bizneset ngurrojnë për investime të reja nga fakti për një ndryshim i krahut politik. Të gjithë presin për të parë shtatorin për qeverinë e re, pavarësisht se e kujt krahu do të jetë qeveria”, thotë ai.

Mark Crawford nga Dhoma Amerikane e Tregtisë në Tiranë thotë se kjo është kthyer në një traditë në Shqipëri sa herë që ka zgjedhje.

“Kjo gjë ndodh gjithmonë në Shqipëri. Sa herë që ka zgjedhje ndodh një protestë, a një diçka tjetër. Biznesi kërkon qartësi dhe të dijë se çfarë të ndodhë dhe sigurisht, kjo ndikon në klimën e ekonomisë”, deklaroi ai.

Dorian Teliti, këshilltar i Partisë Demokratike për ekonominë njohu efektet negative të konfliktualitetit politik, por mbrojti qëndrimin e opozitës.

“Më mirë një qeveri teknike që të garantojë zgjedhje të lira që do të rrëzonte të gjitha alibitë e politikës që dëmtojnë klimën e biznesit në vendin tonë”, tha ai.

“Shqipëria ka dështuar këto vite që të ndërtojë institucione të forta që të garantojnë sigurinë e biznesit pa patur frikë nga zgjedhjet. Më shumë se pasojat afatshkurtra, rreziku më i madh është në afat të gjatë”, tha gazetari i ekonomisë në Top Channel, Klodian Tomorri.

Top Channel