RD Kongo, pritë autokolonës së policisë. Ekzekutohen 40 oficerë

26/03/2017 00:00

Luftëtarë milicish në Republikën Demokratike të Kongos kanë ekzekutuar me prerje koke rreth 40 oficerë policie në një pritë në provincën qendrore të Kasait, thonë zyrtarë lokalë. Ngjarja kriminale ka për autorë luftëtarë të grupit Kamwina Nsapu.

Pas sulmit të autokolonës së policëve, 6 oficerë u çliruan pasi folën për median lokale “Tshiluba”, ndërsa pjesa tjetër u vranë, njoftoi presidenti i Asamblesë së Kasait, François Kalamba.

Trazirat në Kasai nisën gushtin e kaluar, kur forcat e sigurisë vranë udhëheqësin e grupit Kamwina Nsapu. Sulmi i së premtes pati si shënjestër autokolonën e policisë që udhëtonte nga Tshikapa drejt Kananga.

Guvernatori i shtetit, Alexis Nkande Myopompa tha se një hetim ka nisur për këto vrasje. OKB-ja ndërkohë thotë se 40 persona janë vrarë dhe 200 mijë janë zhvendosur në rajonin e Kasait që kur Jean-Pierre Pandi, kreu i Kamwina Nsapu, mbeti i vrarë.

Vrasja e tij erdhi dy muaj pasi Nsapu shpalli kandidaturën në qershor të vitit 2016 për t’u pranuar zyrtarisht si shefi lokal dhe kërkoi që trupat shtetërore të tërhiqeshin nga rajoni. OKB-ja ka identifikuar deri më tani 10 varre masive ku janë varrosur viktimat e trazirave, sikurse edhe 7 vende të tjera që dyshohen se janë varre masive.

Dy ekspertë të OKB-së, një amerikan dhe një suedez janë marrë peng në këtë zonë dy javë më parë, ndërsa janë zhdukur edhe 4 kolegë të tyre kongolezë. Republika Demokratike e Kongos ndodhet mes paqartësive politike, teksa presidentit Joseph Kabila i ka mbaruar mandati në dhjetor, por ai qëndron ende në detyrë. Zgjedhjet priten të mbahen përpara fundit të këtij viti, por asnjë datë nuk është përcaktuar.

Top Channel