Puçi në Mal të Zi; Shtohen provat kundër Rusisë

26/03/2017 00:00

Në procesin gjyqësor kundër të akuzuarve për përgatitjen e sulmeve terroriste në Malin e Zi, po dalin në pah shumë fakte që argumentojnë se këto ngjarje i kanë organizuar disa qarqe të caktuara ruse dhe një pjesë e opozitës pro-serbe në Malin e Zi.

Zëri i Amerikës bën të ditur se në dëshminë e tij prej 11 orësh para Gjykatës, Aleksandar Singjeliç, i cili njihet si paraushtarak serb që ka marrë pjesë në luftërat e ish-Jugosllavisë dhe atë të Ukrainës përkrah ruseve, pohoi se ishte rekrutuar nga agjenti i sigurimit rus, Eduard Shishmakov.

Ai pretendon se Shishmakov i kishte dhënë 200.000 euro për përgatitjen e planit për grushtin e shtetit në Mal të Zi dhe se sipas urdhrit të tij ka rekrutuar personat që duhej të mblidheshin para Kuvendit për të shkaktuar trazira, për të hyrë dhunshëm në institucion, për të qëlluar mbi popullin e për të përmbysur kryeministrin e atëhershëm Milo Gjukanoviç.

Në aksion, sipas dëshmitarit të mbrojtur ka qenë i përfshirë edhe ish-shefi i xhandarmerisë serbe Bratislav Dikiç.

Singjeliç rrefeu se pas dështimit të pucit ishte frikësuar për jetën e tij pasi, siç u shpreh ruset kishin tentuar ta vrisnin dy here ne Beograd, diçka kjo që e detyroi të dorëzohej në Malin e Zi.

Ndërkaq shërbimet ndërkombëtare të sigurisë bënë të ditur se oficeri rus Eduard Shishmakov, i cili ishte organizatori kryesor i ngjarjeve në Mal të Zi, merrte pjesë në mbledhjet e Këshillit të Sigurimit të Rusisë dhe ishte njeriu i besueshëm i Vladimir Putinit.

Top Channel