Sulm rus ndaj Sorosit! “Politico”: Akuzat e republikanëve, të nxitura nga Moska

23/03/2017 00:00

Një grup kongresmenësh republikanë duket se po radhiten në krah të politikanëve të mbështetur nga Rusia në Europën Lindore, me synimin e njëjtë të ndalimit të një “armiku” të përbashkët: miliarderin George Soros.

Të udhëhequr nga republikani Chris Smith i New Jerseyt dhe senatori Mike Lee i Utahut, ligjvënësit konservatorë kanë nënshkruar një sërë letrash që akuzojnë Sorosin se po përdor shpenzimet filantropike për të projektuar ndjenjat e tij liberale në politikat europiane. Sipas asaj që Lee dhe senatorë të tjerë shkruan në letrën e 14 marsit drejtuar Sekretarit të Shtetit, Rex Tillerson, Fondacionet për Shoqëri të Hapur të Sorosit po përpiqen “të nxisin axhenda progresive që forcojnë forcat politike të majta”.

Kjo, megjithatë, është një akuzë e ndezur fillimisht dhe më pas e përkrahur nga Moska.

Soros, i cili i mbijetoi pushtimit nazist në vendlindjen e tij Hungari, për t’u larguar pas Luftës së Dytë Botërore kur vendi ishte nën kontrollin e Bashkimit Sovjetik, ka qenë prej shumë kohësh “njeriu i urryer” i Kremlinit, që i sheh financimet e tij për grupet e shoqërisë civile në ish-shtetet satelite të Bashkimit Sovjetik si pjesë e një komploti për të instaluar qeveri properëndimore.

Për vite të tëra, këto akuza përgjithësisht kanë rënë në veshë të shurdhër në Uashington.

E duke qenë se republikanët e konsiderojnë Sorosin si “armik vdekjeprurës” kur bëhet fjalë për politikën e brendshme amerikane, aty ku miliarderi ka shpenzuar dhjetëra milionë dollarë në mbështetje të kandidatëve demokratë dhe kauzave liberale, politikat e tyre me ato moskovite duken se përafrohen në skenën ndërkombëtare.

Përpjekjet e Sorosit për të forcuar demokracitë dhe për të çrrënjosur korrupsionin në vendet e Europës Lindore, shpesh përputhen me objektivat tradicionale të politikave të jashtme të republikanëve. Por gjërat mund të kenë nisur të ndryshojnë pas fitores së befasishme të Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale, gjatë së cilave ai theksoi çështje nacionaliste.

Politikanë me mbështetje nacionalistësh në disa prej shteteve të bllokut lindor po bëhen gjithnjë e më shumë agresivë në kërkim të mbështetjes ndërkombëtare për kryqëzatën e tyre ndaj Sorosit, ndërsa duket se ata kanë mundur të gjejnë të paktën disa të tillë mes republikanëve.

Fokusi i veçantë i letrës së Lee, Smith dhe grupit të udhëhequr prej tyre janë shpenzimet e fondacioneve të Sorosit në Maqedoni, një ish-republikë socialiste në grahmat e një krize politike dyvjeçare, si dhe në një masë më të vogël në fqinjin perëndimor të saj, Shqipëri.

Në ish-vendin komunist – i referohet analiza e “Politico” Shqipërisë, – që ka luftuar mes akuzave për korrupsion, një nga letrat shpreh shqetësimin se “organizatat e mbështetura nga Sorosi janë duke nxitur më tej reformat, të cilët kanë për qëllim t’i japin kryeministrit dhe qeverisë së qendrës së majtë kontrollin e plotë ndaj pushtetit gjyqësor”.

Letrat, që i kërkojnë Departamentit të Shtetit dhe Zyrës për Përgjegjësitë e Qeverisjes informacione mbi financimin e ndihmave të huaja nga SHBA për grupet e Sorosit në Ballkan, vijnë pas lobimit të partisë së krahut të djathtë që nuk heq dorë nga pushteti në Maqedoni, VMRO-DPMNE.

Chris Stone, president i Fondacioneve për Shoqëri të Hapura, tha se regjimet autokratike e shohin rritjen e Trumpit si autorizues për t’u rezistuar reformave dhe për të kundërshtuar ata që i propozojnë ato.

“Autoritarët, të cilët sot njihen si ‘joliberalë’, e kanë kundërshtuar prej kohësh George Sorosin dhe vizionin e tij për shoqëri të hapura, por ata janë trimëruar edhe më shumë nga fitorja e Trumpit për të avancuar më tej”, tha Stone për “Politico”.

Deri më tani, republikanët që lobojnë kundër përpjekjeve të Sorosit në Maqedoni nuk kanë arritur sukses. Por përfshirja e disa prej figurave më të shquara mes tyre, përfshi këtu senatorin e Teksasit Ted Cruz, po ngre vetullat brenda komunitetit të politikës së jashtme në SHBA, që po shohin se ndikimi ogurzezë i Moskës po gjen terren edhe në Capitol Hill.

Rusia po përpiqet të shfrytëzojë krizën në Maqedoni për të mbjellë mosbesim ndaj Shteteve të Bashkuara dhe për t’i mbledhur partitë e djathta rreth orbitës së saj, thonë analistë rajonalë, të cilët paralajmërojnë gjithashtu se shqetësimi i ligjvënësve republikanë, të cilët shprehen mes fjalëve të letrës së Lee drejtuar Tillersonit se “SHBA po ndezin trazira politike, nuk po respektojnë sovranitetet kombëtare dhe shoqëritë civile”, po i jep Moskës një mjet të fuqishëm propagande.

Mediet shtetërore ruse, në faqet e tyre në gjuhën angleze kanë nxitur t’u bëjnë jehonë letrave të Lee dhe Smith, duke i konsideruar ato si prova se Shtetet e Bashkuara janë fajtore ekzaktësisht për atë që akuzojnë Rusinë se ka bërë në zgjedhjet e 2016-s: ndërhyrjen në politikat e një vendi të huaj.

“Senatorët i kërkojnë Tillersonit të hetojë ‘nxitjen e trazirave’ nga SHBA në vende të tjera”, shkruante “RT”. Ndërsa “Sputnik News” raportonte letrën e Lee nën titullin “Kthim faqeje: A kanë ndërhyrë Obama dhe Soros në zgjedhjet e vendeve të huaja?”. Këto pretendime kanë gjetur jehonë edhe në mediet dhe portalet amerikane të krahut të djathtë, nga faqja e njohur për konspiracione “Infowars” e deri te “Fox News”.

Politikanët maqedonas dhe një grup aleat i njohur si “Ndaloni operacionet e Sorosit” mohojnë rolin e drejtpërdrejtë rus në përpjekjet e tyre, por pranojnë gjithsesi se Moska ka shfaqur interes.

Smith dhe 5 republikanë të tjerë i dërguan fillimisht një letër më 17 janar ambasadorit amerikan në Maqedoni, Jess Baily, duke e akuzuar atë se po favorizonte partinë e së majtës, LSDM. Të pakënaqur me përgjigjen e Departamentit të Shtetit më 6 shkurt, ligjvënësit i kërkuan Zyrës për Përgjegjësitë e Qeverisjes më 24 shkurt hetimin e financimeve të USAID për Fondacionet për Shoqëri të Hapur të Sorosit. Ligjvënësit thanë se USAID po financonte një “axhendë progresive” në Ballkan përmes institucioneve të themeluara nga Soros dhe akuzonin ambasadorin se “ndërhynte vazhdimisht në partitë politike të Maqedonisë, duke favorizuar të majtët përkundrejt të djathtëve”.

DASH gjithsesi hedh poshtë të tilla favorizime. Baily, një zyrtar karriere i Shërbimit të Jashtëm, tha se roli i tij në vend nuk ka asgjë të pazakontë apo të njëanshme, pavarësisht se është përfshirë në përpjekjet për të ndërmjetësuar zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni.

“Ne jemi ftuar dhe mirëpritur nga partitë për ndërmjetësim, – tha Baily në një intervistë për “Politico”. – Krizat politike zakonisht janë zgjidhur përmes një përfshirje domethënëse nga Europa dhe Shtetet e Bashkuara”.

Sipas DASH, USAID ka dhënë vetëm 3 grante për Fondacionin për Shoqëri të Hapur në Maqedoni gjatë 15 viteve të fundit, fillimisht për nisma edukimi ndaj popullsisë rome në vend.

“Financimi ynë për FOS-M përfaqëson vetëm 8% të ndihmës tonë totale në 5 vitet e kaluara”, tha drejtori i misionit të USAID për Maqedoninë, Jim Stein. “Ka shumë ekzagjerim dhe shtrembërim në atë dokument”.

Megjithatë, lëvizjet anti-Soros janë zgjeruar përtej Maqedonisë. Në një adresim televiziv kombëtar në shkurt, Viktor Orban, udhëheqësi i ekstremit të djathtë të Hungarisë dhe prorus, fajësoi Sorosin për ndërhyrje në politikat e brendshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA