Pesë persona, përfshirë një polic dhe atë që besohet të jetë agresori, u vranë gjatë një sulmi terrorist në parlamentin britanik.
I armatosur, me një makinë dhe një thikë, agresori ende i paidentifikuar sulmoi qendrën e pushtetit britanik, duke ngjallur panik.
Sulmi i përgjakshëm nisi në urën Westminster, ku agresori, një mesoburrë me tipare aziatike, goditi me makinë disa kalimtarë duke vrarë dy prej tyre, ndërsa të tjerë kanë pësuar plagë të rënda.
Pak çaste më vonë, agresori përplasi makinën e tij në murin që rrethon parlamentin dhe hyri me vrap përmes një prej portave të oborrit ku sulmoi me thikë një oficer policie.
Agresori u qëllua dhe u eliminua fizikisht nga agjentët e tjerë të policisë, ndërsa oficeri që ai plagosi ndërroi jetë për shkak të plagëve të marra.
Autoritet britanike konfirmuar se të paktën 40 persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e sulmit me makinë, mes të cilëve tre oficerë policie.
Pas sulmit, parlamenti britanik u izolua plotësisht, por mësohet se të enjten puna do të nisë si normalisht.
Mediat raportojnë se kryeministrja britanike Theresa May gjendej në parlament në momentin e sulmit dhe u largua që aty me shpejtësi nga oficerë civilë, me një makinë pa shenja dalluese.
Dëshmitarë okularë të ngjarjes treguan tmerrin e përjetuar gjatë sulmit, që pavarësisht se zgjati vetëm pak minuta, tronditi seriozisht ndjesinë e sigurisë në Londër.
Autoritetet londineze, ndërkohë lajmëruan se kanë shtuar praninë policore në të gjithë kryeqytetin, ku hetimet nuk po zhvillohen vetëm pranë parlamentit por edhe në zona të tjera.
Incidenti në parlamentin britanik duket si lloji i sulmit që xhihadistët preferojnë, pikërisht një agresor i vetmuar, me makinë dhe me armë zjarri apo të ftohta, lloji më i vështirë për t’u ndalur.
Kjo do të thotë se sulme të tilla dhe viktima, siç kemi parë në Nisë apo në qytete të tjera evropiane, janë të paevitueshme.
Top Channel