Ai ishte vetëm 6 vjeç kur mori në dorë për herë të parë penelin dhe nisi të hidhte në letër ngjyrat e para.

Sot është një piktor i njohur, jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj, pasi të shumta janë ekspozitat e çelura në mbarë botën dhe eventet në të cilat ka marrë pjesë, veçanërisht duke lëvruar gjininë e tij më të dashur: akuarelin.

Ndonëse prej më shumë se 4 dekadash piktor, sot ai vendosi të thyejë intimitetin e studios së tij përmes një demonstrimi live.

 “Në këtë mënyrë, të jem i sinqertë, kam pritur, megjithëse në shpesh kemi në studio kolegë, studentë që vijnë e janë kuriozë, por në një përmasë të tillë me thënë të drejtën është hera e parë në Shqipëri. Mundohem të dal nga monotonia, por padyshim të jem ende skllav i mjeteve që unë përdor: shtëpia, meshtënkat, dhia, pse jo; sepse është e rëndësishme që artisti të dallohet kush është”, shprehet Helidon Haliti, kurator i Bienales së Akuarelit.

Demonstrimin live Helidon Haliti e sheh si një mënyrë kreative për të, por edhe edukuese për studentët dhe kureshtarët.

“Në fakt, është detyrim i çdo artisti që në një moment të ditës apo të javës së tij të jetë edhe mësues, pra t’i shpjegojë studentëve të tij live atë që ai di të bëjë, ose të përballet pse jo edhe me kureshtjen e tyre dhe me paqartësitë, por edhe me shumë çështje të teknikës që ka. Është një sfidë shumë interesante që artisti ka edhe me veten, por unë ndihem i sigurte, kur kam kaq njerëz pranë”, thotë Haliti.

Edhe mjeshtri botëror i akuarelit, Liu Yi, shprehu vlerësimin e tij në fund të demonstrimit të Halitit.

Top Channel