Plani i ri shëndetësor në SHBA, miliona ngelen pa sigurime

14/03/2017 00:00

14 milionë persona do të humbasin sigurimin shëndetësor në vitin 2018, sipas planit të ri të hartuar në këtë kuadër nga republikanët.

Plani u shqyrtua nga zyra kongresionale e buxhetit, një grup jo partizan i përbërë nga analistë dhe ekonomistë. Ekspertët e CBO thanë se në vitin 2026, numri i personave të pasiguruar do të rritet edhe me 24 milion të tjerë.

Por ligji i propozuar do të reduktojë deficitin federal me 337 miliard dollarë gjatë kësaj periudhe 10 vjeçare dhe pikërisht këto kursime mund të ndihmojnë republikanët që të bindin edhe konservatorët që janë skeptikë për kostot.

Presidenti Donald Trump e ka mbështetur planin, i cili duhet të zëvendësojë ligjin që la pas administrata e shkuar e që njihet më gjerësisht si Obamacare. Paneli i ekspertëve bashkë me komitetin për taksat zbuluan gjithashtu se 5 milion njerëz të tjerë do të humbasin mbështetjen e Medicaid deri në vitin 2018, një program që mbulon njerëzit me të ardhura të ulëta. Ndërsa deri në vitin 2026, ky numër do të rritet edhe me 14 milion të tjerë.

Raporti i CBO shprehet qartë se deri në vitin 2026, në total 52 milion njerëz do të mbesin pa sigurim shëndetësor në krahasim me 28 milion që do të ishin të pa mbuluar nën regjimin e Obamcare.

Sekretari amerikan i shëndetit dhe shërbime njerëzore Tom Price tha se qeveria nuk është dakord me shifrat e paraqitura në raport. Ndërsa lideri i dhomës së ulët të kongresit paul Rayn deklaroi se qëllimi i republikanëve është të mos detyrojnë njerëzit të blejnë të njëjtin sigurim të shtrenjtë, por t’i jepen atyre disa opsione të përballueshme ekonomikisht.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB