“Luftëtarët e ISIS-it do të vdesin të gjithë”

13/03/2017 08:10

Çdo luftëtar i Shtetit Islamik që ka mbetur në Mosul do të vdesë pikërisht në këtë qytet irakian.

Kështu deklaroi Brett McGurk, zyrtari më i lartë amerikan që merr pjesë në koordinimin e ofensivës për të rimarrë Mosulin nga duart e Shtetit Islamik.

Në një konferëncë për shtyp, McGurk tha se forcat e ushtrisë irakiane kanë ndërprerë rrugën e fundit që të nxirrte nga qyteti, duke bllokuar efektivisht trupat që ka mbetur brenda tij.

McGurk tha se forcat e koalicionit nuk do të lejojnë asnjë luftarë të Shtetit Islamik që është strehuar në qytet që t’ia mbathë, ndërsa zgjedhjet për ta janë të kufizuara: të dorëzohen, ose të vdesin.

Shteti Islamik pushtoi Mosulin, qytetin e dytë më të madh në Irak, në vitin 2014. Por ofensiva që nisi tetorin e kaluar ka bërë të mundur që Iraku të çlirojë pjesën lindore të qytetit dhe tashmë operacionet kanë nisur për të rimarrë edhe pjesën perëndimore.

Pritet që kjo pjesë e betejës të jetë shumë më e ashpër se gjithçka që e ka paraprirë, pasi luftimet zhvillohen në zona të popullura dendur dhe me rrugica të ngushta, ku është thuajse e pamundur që të hyjnë mjetet e blinduara.

Zyrtarë irakianë thanë se luftëtarët e Shtetit Islamik përdorin civilët si mburoja njerëzore, duke e vështirësuar tej mase detyrën e ushtarëve dhe, tani që kanë mbetur edhe pa rrugëdalje, luftimet do të jenë edhe më të ashpra.

Gjeneral-majori irakian Maan al-Saadi i tha agjencisë franceze të lajmeve se, “më shumë se një e treta” e Mosulit perëndimor është nën kontrollin e njësive irakiane. Që kur filloi ofensiva e qeverisë në pjesën perëndimore të qytetit më 19 shkurt, Shtetet e Bashkuara dhe komandantët irakianë kanë ndeshur një rezistencë të ashpër të militantëve të Shtetit Islamik, ndërsa ky grup ekstremist përpiqet të mbajë nën kontroll zonën e fundit të rëndësishme urbane në vendin e shkatërruar nga lufta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA