Adriatik Llalla shkarkon Adriatik Zotkën. “Tërmet” dhe në Tepelenë

13/03/2017 12:15

Prokurori i Përgjithshëm i ka kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ndërprerjen e mandatit për kryebashkiakët e Tepelenës dhe Poliçanit, Tërmet Peçi dhe Adriatik Zotka.

“Nga verifikimet e deritanishme që u janë bërë zyrtarëve të niveleve të ndryshme, prokurori i ka kërkuar KQZ-së heqjen e mandatit të kryebashkiakëve të Tepelenës dhe Poliçanit, të dyshuar për vepra penale që nuk i kanë deklaruar dhe njëherësh ka filluar procedimin penal për falsifikim dokumentash”, tha Llalla.

Sektori i Dekriminalizimit ka konstatuar se Tërmet Peçit i duhet ndërprerë mandati i kryetarit të bashkisë, pasi rezulton se nuk ka treguar se  ka një dënim penal të formës së prerë të vitit 2004 nga Gjykata e Shkallës së Parë Gjirokastër për veprën penale të “Përdorimit të dokumentave të falsifikuar”, për të cilën është dënuar me 150 mijë lekë gjobë.

Ndërsa kryebashkiaku i Poliçanit ka deklaruar në formular një vendim penal të formës së prerë të Gjykatës së Rrethit Korçë, për veprën penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”, ku është dënuar me 3 vjet burg, një vendim të Gjykatës së Rrethit Skrapar për “Kundërshtimin e punonjësve të policisë së rendit publik”, dënuar me 10 muaj burg, dhe një vendim të Gjykatës së Rrethit Tiranë, dënuar me 1 vit burgim. Por, nuk ka deklaruar, sipas prokurorisë, vendimin gjyqësor të formës së prerë dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë Skrapar, në korrik të vitit 1985. Zotka, në atë kohë ka qenë vetëm 19 vjeç dhe është dënuar me Kodin Penal të komunizmit për fyerje dhe kundërshtim të punonjësit të policisë. Gjykata e Skraparit e ka dënuar me 200 lekë gjobë dhe 4 muaj riedukim si dhe me ndaljen e një të katërtës së pagës së tij.

Vetë krimi nuk futet në parashikimin e dekriminalizimit për humbjen e mandatit, por prokuroria thotë se kjo bëhet për mosdeklarim. Adriatik Zotka tha për Top Channel se me një shtesë në formularin e deklarimit ai e kishte treguar dënimin e marrë gjatë komunizmit. Kjo, thotë Zotka, nuk përbën krim dhe se plotësim të të dhënave në KQZ kanë bërë shumë persona, përfshi edhe ish-kryeministrin Sali Berisha.

Në KQZ janë dhjetëra raste kur të zgjedhurit kanë plotësuar deklaratat e tyre dhe për Prokurorinë e Përgjithshme kjo është një shkelje ligji për të cilin nisi dhe një çështje penale.

Top Channel