Bisedimet e Gjorgje Ivanov me Lamberto Zannier në Shkup nuk shkuan në kahun që dëshironte Presidenti maqedonas.
Ivanov diskutoi me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së mbi nevojën për ta refuzuar platformën e Tiranës. Por, në fundin e vizitës së tij dyditore, Zannier deklaroi se rezultatet e zgjedhjeve të dhjetorit sigurojnë një bazë solide për krijimin e ekzekutivit dhe i bëri thirrje Parlamentit të nisë punën në përputhje me parimet demokratike dhe në pajtim me sundimin e së drejtës.
Shefi i OSBE-së shprehu shqetësim lidhur me zhvillimet e fundit në Maqedoni e u kërkoi liderëve politikë që t’i japin fund situatës së krijuar.
“Fundi i ngërçit politik dhe kthimi i stabilitetit politik duhet të jetë prioriteti kryesor. Zgjidhja është në duart e aktorëve politikë, të cilët duhet t’i përgjigjen sfidës dhe të zgjidhin krizën politike në dobi të qytetarëve,” u shpreh Zannier.
Zyrtari i lartë i dënoi më tej mesazhet nxitëse dhe incidentet e kohëve të fundit, të cilat, siç tha ai, mund të çojnë drejt përkeqësimit të marrëdhënieve ndëretnike, ndërsa kujtoi se Marrëveshja e Ohrit është e një rëndësie kyçe për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të komuniteteve.
Top Channel