Kushtetuesja, pro gjyqtarëve; rrëzohen disa nene të ligjit për statusin

10/03/2017 00:00

Gjykata Kushtetuese ktheu në Parmalent një nga 7 ligjet e reformës në drejtësi. Ai është ligji për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Ligji u kundërshtua në Gjykatën Kushtetuese nga komuniteti i gjyqtarëve, të cilët u ankuan për 50 nene që sipas tyre, përveç se bien ndesh Kushtetutën, iu cënojnë disa të drejta.

Në këtë mënyrë, Gjykata Kushtetuese e pranoi pjesërisht kërkesën e Unionit të Gjyqtarëve, duke shfuqizuar disa nene të ligjit.

Siç edhe la të kuptohet, gjatë dëgjimit të palëve Kushtetuesja e shfuqizoi nenin kur paga e gjyqtarëve preket atëherë kur ai kërkon ulje të volumit në punë për shkaqe të ndryshme.

Antikushtetues konsiderohet gjithashtu edhe angazhimi i një magjistrati dhe të afërmve të tij në të njëjtën gjykatë, sikurse edhe prekja e pages atëherë kur gjyqtari nuk paraqitet në detyrë për shkaqe të tjera nga ato të parashikuara me ligj, që nga aksidenti deri tek shkaqet shëndetësore.

Ndërkohë që u shfuqizua edhe neni 104, në të cilin parashikohet se, nëse gjyqtari dënohet për korrupsion, atëherë ai ka detyrimin t’i kthejë shtetit pagën bruto të vitit të fundit në detyrë.

Me rrëzimin e neneve të këtij ligji, statusi i gjyqtarit tani duhet të rihyjë edhe njëherë në procedurat e Kuvendit, për të bërë plotësimet sipas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese.

Top Channel