
Presidenca e Republikës së Kosovës pritet që gjatë ditës së sotme t’i dorëzoj Kuvendit projektligjin e hartuar për ndryshimin e Ligjit për FSK-në.
Mirëpo, ky projektligj i presidentit, Hashim Thaçi, sipas deputetit të LDK-së është i kopjuar prej deputetëve të Parlamentit.
“Ajo ka qenë iniciative e deputetëve, konkretisht e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe FSK e tash ju ka ra në mend edhe të tjerëve. Ne disa herë e kemi biseduar me ministrin, komandantin dhe pjesëtarët e FSK-së në takime të hapura dhe direkt. Domosdoshmëria është që duhet të bëhet ndryshimi i ligjit me qëllim të përmbushjes së zhvillimit 10 vjeçar të FSK-së konform rishikimit strategjik të sektorit të sigurisë dhe dhjet-vjeçarin e ardhshëm”, ka thënë ai, raporton Indeksonline.
Më tej, deputeti i partisë së Isa Mustafës ka thënë se propozimi për ndryshimin e Ligjit është bërë pas ‘kokëfortësisë’ së palës serbe karshi kësaj çështje.
“Është e domosdoshme që këtë vit të bëhet. E di që ka pas reagime dhe do të ketë edhe më tej nga serbët por që nuk duhet t’ia vëmë veshin, mirëpo t’i shikojmë interesat tona. Në vitin 2016 dhe këtë vit është ngrit buxheti për FSK-në për 9% çka nënkupton se shkon në trend të dhjet vjeçar. Ne nuk guxojmë të mbesim në ngecje të zhvillimit të kapacitetve të personelit si dhe standardave të tjera”, ka thënë ai.
Ndryshe, në media është raportuar se Misioni i FSK-së do të jetë mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës. Sipas këtij projektligji, FSK-së nuk do t’i ndërrohet emri dhe do të merret edhe me mbrojtjen e qytetarëve, mbrojtjen e pronës dhe interesave të Shtetit.
Top Channel