Në një deklaratë për televizionin shtetëror ERT, ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias ka përforcuar shqetësimet që ka shfaqur një ditë më parë shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, kur ka deklaruar se në rajonin e Ballkanit tensionet e rrezikshme historike janë ende të ndezura.
Sipas Koztias, në bisedën e bërë mes ministrave të Jashtëm të BE-së në lidhje me çështjen e emigracionit dhe mbi krizën në Ballkanin Perëndimor, është shprehur shqetësimi në lidhje me zhvillimet, veçanërisht në Shqipëri dhe Maqedoni.
Kjo, pasi shumë prej këtyre shteteve e perceptojnë BE-në vetëm si sponsor financiar dhe si një perspektivë pjesëmarrjeje në një qendër të pushtetit.
“Kurse ne theksojmë se duhet të kuptohet që BE-ja është një sistem i vlerave dhe perceptimesh demokratike dhe se demokracia kërkon që dikush të ketë brenda vetes një kulturë, siç ne e konsiderojmë, të kompromisit dhe konsensusit”, ka thënë ai.
Nuk mund të mos funksionojë në shtetet në veri të Greqisë një proces elementar demokratik, ka deklaruar Koztias, duke shtuar se ka bërë thirrje tek të gjitha ato shtete që kanë një gjykim për Ballkanin Perëndimor të mos shohin të heshtur zhvillimet e tyre të brendshme, por të veprojnë siç bën edhe Athina, që në dy vitet e fundit ka folur gjithnjë publikisht.
Duke ju përgjigjur atyre që besojnë se duke u bërë lëshime dhe kompromise këtyre vendeve për tu dukur të pëlqyeshëm, i lehtësojmë, Kotzias thekson se problemi është se këto vende duhet të kuptojnë se duhet të veprojnë në mënyrë demokratike dhe kjo do të thotë një qasje demokratike ndaj opozitës, minoriteteve apo edhe pakicave kombëtare.
Top Channel